Site icon Telegrafi

Ursula von der Leyen ndihmoi një pasagjer që u sëmurë në aeroplan

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila me profesion është mjeke, ndihmoi një pasagjer që u sëmur në një fluturim nga Cyrihu për në Bruksel.

“Siç ndodh zakonisht në raste të tilla, ekuipazhi i fluturimit pyeti nëse kishte pasagjerë në fluturim me njohuri mjekësore”, konfirmoi të enjten zëdhënësja e saj, Arianna Podesta.

Von der Leyen e ndihmoi pasagjerin derisa mbërritën në Bruksel, kur ai u mor nga mjekët e aeroportit, shkruan politico.

Për ngjarjen ka raportuar portali zviceran 20 Minuten. Von der Leyen po kthehej nga samiti i G20 në Rio de Janeiro me kolegët e saj, tha zëdhënësja.

Ursula von der Leyen filloi karrierën mjekësore në vitin 1980 duke u regjistruar në Shkollën Mjekësore të Hanoverit, ku u diplomua në 1987 dhe mori licencën për të ushtruar profesionin e mjekes së specializuar në shëndetin e grave.

Nga viti 1988 deri në vitin 1992, ajo punoi si asistente mjeke në Klinikën e Grave të Fakultetit të Mjekësisë në Hannover. Në vitin 1991 mbrojti disertacionin e doktoraturës dhe mori titullin Doktor i Mjekësisë.

Pas lindjes së binjakëve, nga viti 1992 deri në vitin 1996 ajo jetoi në Stanford, Kaliforni, ku burri i saj ishte anëtar i fakultetit në Universitetin Stanford. Pas kthimit në Gjermani në vitin 1996, nga viti 1998 deri në 2002 ajo dha mësim në Departamentin e Epidemiologjisë, Mjekësisë Sociale dhe Kërkimit të Sistemit Shëndetësor në Fakultetin e Mjekësisë në Hannover. Në vitin 2001 fiton titullin Master i Shëndetit Publik.

Ndryshe, gjatë karrierës, Von der Leyen u fokusua në fushat e mjekësisë së grave, epidemiologjisë dhe shëndetit publik. /Telegrafi/

Exit mobile version