Site icon Telegrafi

Urimi i presidentit Steinmeier, Osmani: Me fat që përgjatë rrugëtimit si shtet kemi pranë Gjermaninë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka falënderuar presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier për mbështetjen përgjatë rrugëtimit të Kosovës.

Osmani thekson se Kosova është me fat që përgjatë rrugëtimit të saj sfidues ka pranë shtete si Gjermania dhe miq si presidenti Steinmeier.

“E falënderoj Presidentin e Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier, për urimin e përzemërt për shtetin tonë, në prag të festës së pavarësisë. Ai thekson se e mban mend mirë 17 shkurtin 2008, meqë atëherë ishte ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe menjëherë ishte deklaruar pro njohjes së Kosovës. Për më tepër, ai i jep mbështetje të fuqishme institucioneve të Kosovës në agjendën e reformave dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, si një faktor qendror për zhvillim ekonomik dhe investime të reja”, thekson Osmani.

Lexo po ashtu Ambasadori Rohde i përcolli presidentes Osmani urimin e presidentit gjerman për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

“Gjatë takimit tonë të fundit, kur me ftesë të tij e vizitova Gjermaninë zyrtarisht, Presidenti Steinmeier ritheksoi përkrahjen e palëkundur të shtetit të tij si dhe përkrahjen e tij personale për rrugën e Kosovës drejt arritjes së konsolidimit të plotë në arenën ndërkombëtare”, thotë më tej presidentja. /Telegrafi/

Exit mobile version