Telegrafi

Urdhër-arrest për Milan Radoiçiqin, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest për Milan Radoiçiq, si një prej personave të dyshuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Prokurori Sylë Hoxha, ka thënë për Telegrafin se, porsa të futet në Kosovë, Radoiçiq do të arrestohet nga autoritetet përkatëse.

“Po, Prokuroria Speciale, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, konkretisht, Departamenti për Krime të Rënda që të lëshojë urdhër-arrest për Milan Radoiçiq”, ka thënë Hoxha.

Lexo po ashtu Serbia më në fund i kthen përgjigje Prokurorisë së Kosovës në kërkesat e drejtuara për vrasjen e Ivanoviqit

Në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, në fundin e vitit të kaluar Policia kishte ndërmarrë një aksion ku kishte arrestuar katër persona.

Në atë aksion Policia nuk kishte arritur të arrestonte edhe Milan Radojiçiqin, që nga Prokuroria është i dyshuar për përfshirje në këtë akt.

Radoiçiq, i cili është nënkryetar i Listës Serbe, kishte deklaruar se nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit dhe se nuk do t’iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës.

Ivanoviq kishte thënë disa herë para se ai të vritet se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime, dhe kishin kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por pa asnjë përgjigje.

Ndërkaq, Milan Radojiçiqin, e kishte quajtur një mbledhës të borxheve dhe pronar kamioni, i afërt me partinë në pushtet në Serbi – si një figurë kyçe në sistemin e frikësimit të pushtetit në Kosovën e veriut.

Më herët në një konferencë për media, presidenti Thaçi ishte shprehur se “vrasësit e Ivanoviqit janë në Beograd”./Telegrafi/

Në foto: Milan Radoiçiq