Telegrafi

Ura e Ibrit, Bislimi zbulon kërkesën e një vendi të QUINT-it, tregon se çfarë i tha Lajçak në takimin e fundit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka folur për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit që ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë.

Bislimi ka thënë se emisari i BE-së për dialog, Miroslav Laçjak më 19 qershor në vizitën e tij të fundit në Kosovë, kur ishte diskutuar për temën e Urës mbi lumin Ibër, kishte thënë se nëse Kosova s’preferon që kjo të diskutohet në Bruksel atëherë rekomandon të bëhen bisedime të brendshme me serbët lokalë.

Po ashtu ai ka thënë se një partner i QUINT-it kishte shtuar kërkesën që të ketë inspektime teknike.

E pas realizimit të dy kërkesave shtesë, Bislimi ka thënë se BE-ja tash po kërcënon me masa ndaj Kosovës nëse e hap urën për qarkullim të veturave.

“Në vizitën e tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur kemi biseduar për urën e Mitrovicës, Lajçak tha se nëse Kosova nuk preferon të diskutojë përsëri për këtë çështje në Bruksel, ai rekomandon diskutime të brendshme me serbët vendas në veri për implikimet potenciale në siguri dhe shqetësimet e tyre. Një partner i QUINT-it shtoi kërkesën për inspektim teknik.

Ne kemi ndjekur dy rekomandimet. Tani BE-ja po e kërcënon Kosovën në rast se ajo zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe rekomandimet shtesë. Ne besojmë fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive të ndryshme”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.

Ai ka shtuar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016.

“Për më tepër, plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”. Raporti për Vendin i vitit 2020 nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë.”, ka shkruar Bislimi. /Telegrafi/