Site icon Telegrafi

“UNUM” thërret për katër ditë te “Rana e Hedhun”

Festivali më i madh ndërkombëtar “UNUM” do të mbahet për herë të parë në Shqipëri, derisa plazhi i bukur i Shëngjinit do të jetë hapësira ku do të organizohen aktivitetet e shumta të këtij festivali.

Festivali do të zgjasë 4 ditë, dhe do të vendoset tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin, i përcjellë me muzikë gjatë tërë kohës, nën shoqërinë e mbi 75 DJ-ve.

Kështu bënë të ditur në një konferencë për media përfaqësues të festivalit e ku morën pjesë edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, tha se Shqipëria dhe Kosova e kanë së bashku bregdetin e bukur shqiptar.

“Do të jetë një gjë fantastike futja e Shqipërisë në festivale rinore ndërkombëtare. Sot me ministrin Shala kemi pasur një ditë mjaft intensive për përgatitjen e një pakoje të përbashkët turistike matanë bjeshkëve. Besojmë se do të jetë një javë e bukur plazhi dhe do të jetë një nismë shumë e mirë për të nisur me sukses turizmin për vitin 2019”, tha Klosi.

Lexo po ashtu UNUM Festival publikon listën e plotë të artistëve pjesëmarrës

E ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se është shumë e mirëseardhur që një organizim i tillë të bëhet edhe në Kosovë, gjatë kohës kur mund të promovohen pikat turistike.

Drejtoresha e festivalit, Viviene Pitarka, tha se bashkëpunimi i të rinjve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, është dëshmia më e mirë e bashkimit të dy vendeve. Ajo bëri të ditur se puna ka filluar kaherë dhe tashmë janë duke u bërë përgatitjet e fundit për festivalin. Rëra, mali, pisha dhe deti janë konceptet që sipas saj, e definojnë festivalin.

“Festivali do të zhvillohet tek ‘Rana e Hedhun’ në Shëngjin, dhe ka për qëllim të bashkojë të gjithë të rinjtë. Ajo që synojmë është që të krijojmë hapësirë për Shqipërinë në hartën e festivale”, tha Pitarka.

Exit mobile version