Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” i është vazhduar akreditimi edhe për pesë vjet.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim të UP-së.
Në mbledhjen e datës 25 qershor 2020, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Republikës së Kosovës ka analizuar dhe votuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë mbi vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa sipas votimit të KShC-së, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është riakredituar për 5 vjetët e ardhshëm.
Rektori i UP-së, Marjan Dema, për këtë vendim uroi studentët, stafin dhe të gjithë qytetarët.
“I gëzohem shumë vendimit të KShC-së, për riakreditimin e UP-së edhe për 5 vjet. Ashtu si vendimi, edhe vlerësimi në detaje i performancës së UP-së, kanë konstatuar që UP-ja ka shënuar përparime të mëdha dhe vazhdon të jetë institucion lider i arsimit të lartë. Me këtë rast, përzemërsisht i uroj studentët, profesorët, stafin akademik dhe gjithë qytetarët e këtij vendi, sepse Universiteti i Prishtinës është i të gjithëve”, theksoi Dema. /Telegrafi/