Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme të menaxhmentit dhe të Këshillit Drejtues. Në këto takime u diskutua rreth vendimeve parandaluese, të marra nga Qeveria e Republikës se Kosovës, lidhur me COVID-19, Koronavirusi i ri 2019.
Në takimet e lartcekura u vendos që t’u bëhet thirrje e theksuar stafit akademik, atij administrativ dhe studentëve për respektim me përpikëri të vendimeve të qeverisë.
Në mbledhjet e organeve më të larta drejtuese dhe menaxhuese, UP-ja ka vendosur si në vijim:
– Fillimi i përgatitjeve për ofrimin e mësimit virtual për studentët e UP-së. (Kjo metodë, në situatën e krijuar, do të mund të aplikohet nëse kërkesa aprovohet nga institucionet e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.)
– Deri në përfundim të periudhës së pezullimit të procesit mësimor, të caktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha aktivitetet e zgjedhjeve në UP do të zhvendosen për aq ditë sa do të zgjasë pezullimi. Ky vendim do të zbatohet për zgjedhjet për këshilla të studentëve dhe Parlament të Studentëve, për zgjedhjet e personelit akademik dhe joakademik në nivel të përfaqësimit të UP-së;
– Janë marrë të gjitha masat për mbrojtje të stafit, siç janë: pajisja me mjete dezinfektuese dhe materiale informuese, dezinfektimi i objekteve dhe menaxhimi i mbeturinave në objektet e njësive akademike dhe objekteve të tjera universitare;
– Është organizuar ligjëratë e drejtpërdrejtë (e qasshme në: https://www.facebook.com/UniversitetiPrishtines/videos/596469084267784/ )për të informuar rreth COVID-19;
– Është përgatitur përmbledhje informuese nga Fakulteti i Mjekësisë për stafin dhe studentët në lidhje me COVID–19, e qasshme në: https://uni-pr.edu/desk/inc/media/03DE72A7-0683-418A-B640-E7AB56C406DC.pdf;
– Në mbledhjen e menaxhmentit është marrë vendim për themelim të Komisionit për Emergjenca në kuadër të UP-së, me këta anëtarë:
1. Prof. asoc. dr. Merita Berisha – kryesuese;
2. Prof. dr. Suzana Manxhuka – Kerliu;
3. Prof. asoc. dr. Naser Ramadani;
4. Prof. dr. Sali Ahmeti;
5. Prof. asoc. dr. Lul Raka;
6. Prof. asoc. dr. Isme Humolli.
Në këtë situatë kur COVID-19 është shpallur pandemi, UP-ja me të gjitha kapacitetet shkencore dhe profesionale është në gatishmëri t’u shërbejë institucioneve dhe komunitetit, si dhe bën thirrje për kujdes të shtuar drejt mbrojtjes së shëndetit të vetvetes, familjes dhe shoqërisë. /Telegrafi/