Telegrafi

Universiteti i Prishtinës i suksesshëm në mësimin online – Fakulteti Ekonomik prinë në mbajtjen e mësimit sipas njësive akademike

Për shkak të ndërprerjes së aktiviteteve publike si pasojë e coronavirusit (Covid-19), Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Shkencës, Arsimit dhe Teknologjisë ka ndërprerë mësimin e rregullt duke e zëvendësuar atë me mësim virtual.

Ndonëse ka qenë hera e parë për UP që të organizojë ligjërata gjithëpërfshirëse virtuale, faktikisht kjo ka rezultuar me shumë sukses.

Në bazë të statistikave të publikuara nga UP, tregohet se qysh prej datës 16 mars mbi 17 mijë studentë dhe mbi 1100 profesorë kanë marrë pjesë në mësim virtual, duke i mbajtur gjithsej 16,128 orë ligjëruese.

Fakulteti Ekonomik prinë sa i përket përqindjes së mbajtjes së mësimit sipas njësive akademike me 17.06%, ndjekur pas nga Fakulteti i Mjekësisë (10.94%), i Filologjikut (9.99%), Edukimit (8.4%), etj.

Kjo formë e mësimit është vlerësuar edhe nga studentët, të cilët vazhdimisht po angazhohen nga shtëpitë e tyre në ligjërata, ushtrime, etj.

Përndryshe, Universiteti i Prishtinës si pasojë e coronavirusit e kishte anuluar afatin e provimeve të muajit prill dhe ende nuk dihet se si do të zhvillohen provimet në afatin e muajit qershor.