Telegrafi

Universiteti i Prishtinës nderon veprën e familjes Jashari

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema dhe kryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Laura Kryeziu, në nderim dhe respekt të veprës së heronjve të kombit, bënë sot homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Prekaz.

Sipas njoftimit për medie, pjesë e delegacionit të UP-së në këtë vizitë ishin edhe prof. dr. Myrvete Badivuku – Pantina, prorektore për buxhet dhe financa, prof. ass. dr. Dashamir Bërxulli, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, si dhe prof. dr. Beqir Sadikaj, anëtar i Këshillit Drejtues.
Në njoftim thuhet se, rektori Dema vendosi buqetë lulesh tek varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari.

“Delegacioni i Universitetit të Prishtinës u përkul me mirënjohje para varrit të dëshmorëve dhe shprehu admirim ndaj veprës sublime të familjes Jashari, e cila vendosi një gurthemel të pazëvendësueshëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thekson njoftimi./Telegrafi/