Me produktet dhe ofertat më të reja të Telekomit të Kosovës prej sot do të shërbehet i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.
Kjo u bë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe këtij Universiteti, marrëveshje kjo, e cila pritet të shtojë numrin e konsumatorëve të Vala-s, rritjen e shfrytëzimit të shërbimeve të saj si dhe lehtësime të tjera për përdorimin e këtyre shërbimeve.
“Pas shumë universiteteve dhe kolegjeve publike e private që kanë kaluar në VALA, tash e tutje shërbimeve dhe rrjetit tonë i beson edhe një Universitet, i cili do të jetë përfituesi më i madh, sepse do t’u mundësohet komunikim më i mirë dhe ofertë e volitshme”, theksoi Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli.
Me pakon e ofruar për këtë institucion universitar, Telekomi i Kosovës dëshmon edhe një herë se gama e shërbimeve dhe produkteve, është duke i tërhequr masivisht Komuna, Ministri, kompani, biznese dhe qytetarë të shumtë.
“Për Universitetin tonë kjo marrëveshje e sotme me Vala-n është e një rëndësie të veçantë, për arsye se jo vetëm që do të na integrojë në një pako të përbashkët të komunikimit, por gjithashtu përmes internetit të shpejtë, stafi ynë do të mund të funksionalizojë punët e përditshme, teknike dhe akademike”, deklaroi rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi.
Dy javë më parë, Vala-s iu bashkua edhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, ndërsa nënshkrimi i këtyre kontratave të reja tregon dinamikën me të cilën është duke u punuar në kompani, synimi i së cilës, përveç të tjerash, është rritja dhe nxitja e numrit të konsumatorëve PrePaid dhe PostPaid që t’i bashkohen VALA-s për shkak edhe të atraktivitetit të produkteve që tashmë ofron. /Telegrafi/