Telegrafi

Unitedit i kërkohet të paguajë klauzolën e Vinicius nëse duan transferimin e tij

Carlos Vinicius ka qenë futbollisti kryesor i gjigantit portugez Benfica këtë edicion.

Sulmuesi brazilian ka shënuar rregullisht dhe ka asistuar duke ndihmuar Benfican të qëndrojë në garë për dy trofetë shtetërorë.

25-vjeçari falë formës së mirë ka ngjallur interesimin e gjigantit anglez Manchester United.

Trajneri Ole Gunar Solskjaer e pëlqen shumë lojtarin dhe drejtuesit e United e kanë përcjellë në disa ndeshje nga afër.

Djajtë e Kuq janë të gatshëm të shpenzojnë deri në 50 milionë euro për lojtarin, po kjo shumë nuk mjafton.

Benfica i ka bërë të qartë gjigantit anglez se për ta marrë Carlos Viniciusin duhet të paguhet klauzola e tij prej 100 milionë eurove.

Ish-sulmuesi i Rio Ave, Monaco e Napolit dëshiron të bashkohet me Unitedin, por klubi anglez duhet të bind Benfican të ulë çmimin e tij.

Braziliani këtë edicion ka zhvilluar 36 ndeshje në të gjitha garat duke shënuar 20 gola dhe duke bërë 15 asistime.

Kujtojmë që Benfica ka shpenzuar për të vetëm 17 milionë euro kur e bleu vitin e kaluar nga Napoli. /Telegrafi/