Telegrafi

Unitedi zbulon aksidentalisht se Solskjaer do ta zëvendësojë Mourinhon

Jose Mourinho (Foto: Dan Mullan/Getty Images/Guliver)

Lajmi i ditës së martë ishte padyshim shkarkimi i Jose Mourinhos nga detyra e trajnerit të Manchester Unitedit.

Largimi i tij nga posti në fjalë erdhi pas rezultateve jo të mira këtë sezon dhe së fundmi pas humbjes nga Liverpooli me rezultat 3-1, ku kujtojmë se dy nga golat u shënuan nga Xherdan Shaqiri.

Në njoftimin zyrtar të Djajve të Kuq shkruhej se së shpejti do të emërohet në trajner i përkohshëm, ndërsa në fund të sezonit do të bëhej një zgjidhje afatgjate.

Aventura e Jose Mourinhos te Man Utd nuk doli të jetë e suksesshme ashtu siç është pritur (Foto: Dan Mullan/Getty Images/Guliver)

Së pari për pozitën e trajnerit u përmend Michael Carrick, i cili së fundmi ishte edhe pjesë e stafit të Special Ones. Por, nuk kaloi shumë dhe listës iu shtua edhe Ole Gunnar Solskjaer.

Lexo po ashtu Pasi Pogba thumbi Mourinhon, Neville ia kthen në të njëjtën mënyrë francezit

Duket se do të jetë Solskjaer njeriu që do ta drejtojë Unitedit në pjesën e mbetur të sezonit, faqja zyrtare e Man Utd zbuloi aksidentalisht se 45-vjeçari ka marrë detyrën e trajnerit.

Solskjaer bëhet trajneri ynë i përkohshëm, 20 sezone pasi arriti Tripletën me atë gol në Camp Nou”, shkruhej në lajmin e videos ku flitej për finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 1999.

Më vonë e gjitha kjo është fshirë nga faqja zyrtare, por mjaftoi që mediat dhe tifozët të kuptojnë se ky gabim ishte një tregues se kush do të jetë trajneri i radhës.

Në rast se kjo ndodh, atëherë për sulmuesin e njohur nuk do të ishte hera e parë që drejton një skuadër. Ai e filloi me klubin norvegjez Mode, pastaj mori drejtimin e Cardiff Cityt, ku fitoi vetëm nëntë nga 30 ndeshjet dhe kështu u largua për t’u kthyer te Mode ku është edhe aktualisht.

Solskjaer ishte pjesë e Man Utd për 10 sezone, ai kishte arritur të shënojë 128 gola në 367 paraqitje në të gjitha garat. /Telegrafi/