Lajmi i ditës së martë ishte padyshim shkarkimi i Jose Mourinhos nga detyra e trajnerit të Manchester Unitedit.
Largimi i tij nga posti në fjalë erdhi pas rezultateve jo të mira këtë sezon dhe së fundmi pas humbjes nga Liverpooli me rezultat 3-1, ku kujtojmë se dy nga golat u shënuan nga Xherdan Shaqiri.
Në njoftimin zyrtar të Djajve të Kuq shkruhej se së shpejti do të emërohet në trajner i përkohshëm, ndërsa në fund të sezonit do të bëhej një zgjidhje afatgjate.
Së pari për pozitën e trajnerit u përmend Michael Carrick, i cili së fundmi ishte edhe pjesë e stafit të Special Ones. Por, nuk kaloi shumë dhe listës iu shtua edhe Ole Gunnar Solskjaer.
Duket se do të jetë Solskjaer njeriu që do ta drejtojë Unitedit në pjesën e mbetur të sezonit, faqja zyrtare e Man Utd zbuloi aksidentalisht se 45-vjeçari ka marrë detyrën e trajnerit.
“Solskjaer bëhet trajneri ynë i përkohshëm, 20 sezone pasi arriti Tripletën me atë gol në Camp Nou…”, shkruhej në lajmin e videos ku flitej për finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 1999.
Më vonë e gjitha kjo është fshirë nga faqja zyrtare, por mjaftoi që mediat dhe tifozët të kuptojnë se ky gabim ishte një tregues se kush do të jetë trajneri i radhës.
Në rast se kjo ndodh, atëherë për sulmuesin e njohur nuk do të ishte hera e parë që drejton një skuadër. Ai e filloi me klubin norvegjez Mode, pastaj mori drejtimin e Cardiff Cityt, ku fitoi vetëm nëntë nga 30 ndeshjet dhe kështu u largua për t’u kthyer te Mode ku është edhe aktualisht.
Solskjaer ishte pjesë e Man Utd për 10 sezone, ai kishte arritur të shënojë 128 gola në 367 paraqitje në të gjitha garat. /Telegrafi/