Nuk ka dyshim se Romelu Lukaku kishte peshë më të madhe gjatë sezonit të dytë te Manchester Unitedi. Sulmuesi belg gjithmonë është vlerësuar për lojën e tij në sulm, mirëpo fiziku i madh muskulor filloi të kishte ndikim negativ gjatë sezonit 2018/2019.
Nganjëherë, ai dukej shumë i ngadaltë dhe dukej sikur i zihej fryma, prandaj shumëkush filloi të dyshonte në formën e tij dhe nivelet e kondicionit, në mesin e tyre edhe ish-kapiteni i Unitedit, Gary Neville, i cili e kishte kritikuar publikisht.
Kjo u vërejt edhe në statistikat e tij. Nga 27 gola të shënuar brenda 52 ndeshjeve në sezonin e parë, në edicionin e dytë në Old Trafford, ai i shënoi vetëm 15 gola në 45 paraqitje.
Kështu, në verën e kaluar, Lukaku nënshkroi për Interin. Në 30 paraqitje për klubin e ri, ai i ka shënuar 21 gola në të gjitha garat.
Përveç golave, ai shuton më shpesh, e prek topin më shpesh dhe krijon më shumë raste për bashkëlojtarët, si edhe duket më i mprehtë dhe më në formë. Ndërsa The Telegraph tregon një arsye pse ka ndodhur ky ndryshim.
Unitedi kishte dështuar të zgjidhte një problem me sistemin digjestiv (tretës) të lojtarit, gjë të cilën as ai vet nuk e dinte.
Sistemi i tij tretës nuk funksiononte si duhet dhe kjo gjë shpjegon pse ai ishte fryrë aq shumë në Old Trafford. Stafi mjekësor i Interit e zbuloi shumë shpejt këtë problem dhe i ndihmoi Lukakut të humbte tre kilogramë për vetëm 12 ditë.
Si rezultat i humbjes në peshë, janë kthyer shpejtësia dhe mprehtësia e tij, ndërsa Interi që kryeson kampionatin italian është duke i korrur shpërblimet.
Nuk ka dyshim se ky fakt reflekton negativisht në stafin mjekësor të Djajve të Kuq, të cilët nuk e zbuluan për dy vite një problem që tek Interi u zgjidh menjëherë. /Telegrafi/