Largimi i Paul Pogbas në verë nga Manchester Unitedi duket i pashmangshëm.
Ylli francez në këtë sezon më shumë është përfolur për të ardhmen e tij, sesa për paraqitjet me fanellën e Unitedit.
Lëndimet e shpeshta, raportet e tensionuara me klubin dhe të agjentit të tij me trajnerin Ole Gunnar Solskjaer kanë bërë që Pogba të lidhet shpesh me largimin.
Megjithatë, paraqitjet e pakta dhe forma jo e mirë në vazhdimësi thuhet se kanë ulur çmimin e mesfushorit francez.
Sipas mediumit të njohur Daily Mail, Djajtë e Kuq mund të mos kenë zgjidhje tjetër përveçse ta shesin Pogba për një çmim të përgjysmuar.
Nëse Pogba deri vonë vlente 100 milionë funte apo 120 milionë euro, në verë mund të shitet për 50 milionë funte apo 60 milionë euro.
Real Madridi dhe Juventusi janë dy klubet që janë lidhur më shumë me transferimin e francezit. /Telegrafi/