Manchester Unitedi e ka paralajmëruar Mino Raiolan se nuk do ta ketë të lehtë që ta largojë Paul Pogban nga Old Traffordi.
Tashmë kanë nisur spekulimet se mesfushori francez do ta vazhdojë karrierën diku tjetër nga vera e ardhshme, teksa Real Madridi është favorit për transferimin e tij.
Mirëpo, Marca bën të ditur se përfaqësues të Djajve të Kuq e kanë njoftuar përfaqësuesin e lojtarit se nuk duan ta lejojnë largimin e tij. Për më shumë, klubi që dëshiron ta blejë 26-vjeçarin duhet të bëjë ofertë të majme.
Pogba dëshiron të bashkohet me legjendën franceze të futbollit, Zinedine Zidane, i cili u rikthye në postin e trajnerit të Los Blancos.
Në ndërkohë, ka pasur thashetheme se mesfushori mund të rikthehet te Juventusi, klub nga ku u largua drejt Unitedit. /Telegrafi/