Me ardhjen e Erik Ten Hag, Manchester United ka rikthyer sytë në kampionatin holandez për tu përforcuar.
Sulmuesi brazilian Antony dhe qendërmbrojtësi argjentinas Lisandro Martinez janë dy blerjet e mëdha të verës nga Man Utd.
Djajtë e Kuq tani kanë nënshkruar me holandezin Wout Weghorst, derisa synojnë të transferojnë edhe një futbollist kësaj radhe për ta përforcuar mbrojtjen.
Jurrien Timber është emri i ri në listën e Erik Ten Hag, me trajnerin që kërkon të ribashkohet me bashkëkombësin e tij në Old Traford.
21-vjeçari ka shkëlqyer sezonet e fundit me Ajaxin, teksa është bërë edhe titullar i padiskutueshëm te Përfaqësuesja e Holandës.
Djajtë e Kuq duan transferimin e tij në janar dhe The Sun ka raportuar se gjiganti anglez pritet të dalin së shpejti me një ofertë zyrtare.
Timber ka kontratë me Ajaxin deri në verën e vitit 2025, derisa gjiganti holandez për ta lënë të lirë kërkon rreth 50 milionë euro.
Qendërmbrojtësi këtë edicion ka zhvilluar 23 ndeshje me Ajaxin ku ka bërë edhe dy asistime. /Telegrafi/