Telegrafi

Unikkatili mbajti koncert madhështor për fansat në Stadiumin “Adem Jashari”

Foto: Unikkatili/Instagram

Reperi i njohur shqiptar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Unikkatili, ka mbajtur një prej koncerteve më të mëdha të jetës së tij.

Në mesin e shumë artistëve që kishte ftuar për të interpretuar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, Unikkatili u ngjit për fansat i fundit në skenë duke dhuruar performancë fantastike për fansat.

Ai ka interpretuar këngët më të famshme të repertoarit të tij, duke bërë që atmosfera të ngrihet në kulm.

Fotografitë dhe videot e publikuara në rrjetet sociale, kanë treguar se stadiumi ka qenë i mbushur plotë, ndërsa të gjithë janë argëtuar pa fund me muzikën e artistëve që u ngjitën në skenë.

Prezent në këtë koncert gjigant ka qenë edhe i pari i Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri, i cili në një prej momenteve nuk ka hezituar t’ia thotë këngës “Jo nuk ndahet Mitrovica”.

Në skenë u ngjit edhe artistja e madhe e popullit, Shkurte Fejza, e cila ka interpretuar këngën e saj të famshme “Mora fjalë”.

Një performancë elektrizuese nga Melinda Ademi nuk mungoi gjithashtu, ndërsa pati edhe shumë këngëtarë tjerë nga estrada që ishin pjesë e këtij koncerti, i cili mbushi plot e për plot Stadiumin “Adem Jashari”. /Telegrafi/