Site icon Telegrafi

“Unë jam Stalinist! Por së pari, le të diskutojmë për paratë” – bëhen të ditura detajet e rekrutimit të spiunëve në Bullgari nga shërbimet sekrete ruse

Zyra e Prokurorit në Bullgari ka zbuluar detaje pas arrestimit e gjashtë shtetasve të rangut të lartë nën akuzat për spiunazh për Rusinë.

Midis të arrestuarve ishin dy oficerë të forcave të armatosura, si dhe një ish-oficer i kundërzbulimit ushtarak të vendit. Ky i fundit akuzohet për rekrutimin dhe zgjerimin e një rrjeti agjentësh për inteligjencën ruse.

Akuza bazohet në një mision të përgjuar të mbledhjes së të dhënave.

Sipas Prokurorisë, ish-oficeri i kundërzbulimit ushtarak bullgar fillimisht kishte bërë thirrje ideologjike.

“Unë nuk jam thjesht një person pro-sovjetik, por një pro-Stalinist! Nuk është turp”, kishte thënë ish-oficeri, pas së cilës biseda kishte vazhduar për pagesën mujore në këmbim të ofrimit të sekreteve.

Sipas medieve ruse, detyrat e vendosura nga Shërbimi Ushtarak rus i Inteligjencës (GRU) përfshinin bërjen e Screenshot-ve të kompjuterëve në Ministrinë bullgare e Mbrojtjes, të cilat përmbajnë të dhëna konfidenciale.

Lexo po ashtu Bullgaria arreston rrjetin më të madh të spiunëve rusë, në mesin e tyre janë Ivan Iliev dhe Lyubomir Medarov

Moska ishte veçanërisht e interesuar për tema që lidhen me Sirinë, Ukrainën dhe Nagorni-Karabakun.

Po ashtu, detyrat përfshinin të dhëna për takimet e NATO-s, politikat e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë, si dhe kontaktet e jashtme të Bullgarisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe CIA-në.

Prokuroria tha se gjatë arrestimit, njëri nga të dyshuarit u përpoq të fshihej, si rezultat i të cilit u krye një operacion për kërkimin dhe ndalimin e tij.

Një nga të arrestuarat është gruaja e udhëheqësit të grupit. Ajo është një shtetase ruse dhe mbante marrëdhënie me stafin e misionit diplomatik rus në Sofje.

Ndryshe, Agjencia Shtetërore për Siguri Kombëtare e Bullgarisë (SANS) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë kryer operacionin në shkallën më të gjerë për arrestimin e spiunëve rusë në Bullgari, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Lidhur me këtë aksion, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov i bëri thirrje Rusisë të ndalë fushatës e spiunimit ndaj vendit të tij.

Nën akuzat e spiunimit, që nga tetori i vitit 2019, Bullgaria ka dëbuar pesë diplomatë dhe punonjës të Ambasadës Ruse. /Telegrafi/

Exit mobile version