Site icon Telegrafi

UNDP vazhdon të fuqizojë kapacitetet e Policisë së Kosovës në fushën e sigurisë kibernetike

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes Programit të Sigurisë së Kosovës (KSSP) / Luftimi i Krimit Kibernetik në Kosovë (C3K) në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës, vazhdon të mbështesë palët e interesuara vendore në ngritjen e teknologjisë dhe kapaciteteve njerëzore për parandalimin e sulmeve kibernetike me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike në përgjithësi.

Sipas njoftimit për mediaq, zyrtarë të Policisë së Kosovës nga drejtoria e teknologjisë informative u mblodhën sot për një trajnim njëditor për të mësuar më shumë rreth përdorimit të softuerit të avancuar për ndërmarrje SPLUNK në përmirësimin e zbulimit, kontrollit dhe mbrojtjes së infrastrukturës më të rëndësishme informative të Policisë së Kosovës.

“Krimi kibernetik karakterizohet nga Komisioni Evropian si një gamë e gjerë e aktiviteteve të ndryshme kriminale ku kompjuterët dhe sistemet e informacionit janë të përfshira ose si një mjet parësor ose si një objektiv kryesor. Krimi kibernetik përfshin vepra tradicionale (p.sh. mashtrim, falsifikim dhe vjedhje identiteti), vepra penale të lidhura me përmbajtjen (p.sh. shpërndarja në internet e pornografisë ku përfshihen fëmijët ose nxitje e urrejtjes racore) dhe vepra që kanë të bëjnë enkas me kompjuterët dhe sistemet e informacionit si p.sh. sulme kundër sistemeve të informacionit, mohim të shërbimit dhe malware (softuer që ka për qëllim të dëmtojë ose çaktivizojë kompjuterët dhe sistemet kompjuterike)”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera në njoftim theksohet se programi i sigurisë i UNDP në Kosovë (KSSP) është plotësisht i integruar në institucionet përkatëse të sigurisë me një strategji mbështetëse për palët vendore të interesit përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse të sigurisë në zhvillimin teknologjik, zbatimin dhe harmonizimin e kornizës përkatëse ligjore, strategjive dhe planeve të veprimit sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe direktivës së BE-së për sigurinë kibernetike me qëllim të rritjes së sigurisë publike për të gjithë qytetarët me fokus të veçantë në sigurinë kibernetike.

Projekti C3K financohet nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme./Telegrafi/

Exit mobile version