Mbrojtësi francez, Samuel Umtiti, ka shpjeguar arsyen e shkuarjes te Lecce për rikthyer entuziazmin e tij për futbollin, pas katër viteve të kaluara si “i burgosur” te Barcelona.
29-vjeçari u transferua në Camp Nou në vitin 2016 nga Olympique Lyonnais për 25 milionë euro me qëllimin për t’u bërë i rëndësishëm në fazën defensive, mirëpo gjërat u përkeqësuan mjaft shpejt.
Më pas, ai u huazua për një sezon te skuadra e promovuar në Serie A, Lecce, e cila aktualisht është duke luftuar për ta mbajtur vendin në elitën e futbollit italian.
“Dukej sikur katër vite burg në Barcelonë, jo vetëm në nivel sportiv, por edhe në jetën time të përditshme”.
“Në fillim u ndjeva mirë dhe performova në një nivel të lartë, por më pas fillova të ndjeja ekzistimin e njëfarë mosbesimi ndaj meje dhe më pas kuptova se askush nuk besonte më në mua”, ka deklaruar Umtiti për Canal+ në Francë.
Ishte diskutuar edhe opsioni i ndërprerjes së kontratës, por në vend të kësaj, Umtiti zgjodhi të huazohej te Lecce, ku i ka regjistruar 23 paraqitje në Serie A deri më tani këtë sezon.
“Ishte një sfidë për mua, kisha nevojë të ndihesha i vlerësuar, i respektuar dhe thjesht i dobishëm. E di se për të siguruar mosrënien (nga liga) nuk është njësoj si ta fitosh titullin, por i jam falënderues Lecces, sepse e rigjeta buzëqeshjen time këtu”, ka thënë futbollisti. /Telegrafi/