Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar aleatëve të Ukrainës që të ndalojnë “shikimin” dhe të ndërmarrin hapa përpara se trupat e Koresë së Veriut të dislokuara në Rusi të arrijnë në vijën e frontit.
Zelensky ngriti mundësinë e një sulmi parandalues në kampet ku po stërviten trupat e Koresë së Veriut dhe tha se Kievi e di vendndodhjen e tyre.
Por ai tha se Ukraina nuk mund ta bëjë këtë pa lejen e aleatëve për të përdorur armë me rreze të gjatë të prodhimit perëndimor për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Por në vend të kësaj Amerika po shikon, Britania po shikon, Gjermania po shikon. Të gjithë presin vetëm që ushtria e Koresë së Veriut të fillojë të sulmojë edhe ukrainasit”, tha Zelensky.
Së fundmi, administrata Biden tha se rreth 8,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë tani në rajonin rus të Kurskut, afër kufirit me Ukrainën dhe po përgatiten të mbështesin forcat ruse në ditët në vijim.
Bëhet e ditur se inteligjenca ushtarake e Ukrainës (GUR) tha se më shumë se 7,000 koreano-veriorë të pajisur me pajisje dhe armë ruse ishin transportuar në zonat afër Ukrainës.
Sipas GUR, trupat e Koresë së Veriut po trajnoheshin në pesë lokacione në Lindjen e Largët të Rusisë, por nuk specifikoi burimin e informacionit të saj.
Udhëheqësit perëndimorë e kanë përshkruar dislokimin e trupave të Koresë së Veriut si një përshkallëzim të rëndësishëm që mund të tronditë marrëdhëniet në rajonin Indo-Paqësor dhe të hapë derën për transferimin e teknologjisë nga Moska në Phenian që mund të çojë përpara kërcënimin e paraqitur nga programi i armëve bërthamore dhe raketave të Koresë së Veriut.
Ndryshe, thirrja e Zelenskyt vjen pak përpara se komandanti i lartë i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, të deklarojë se trupat e tij po luftojnë për të frenuar “një nga ofensivat më të fuqishme” nga Rusia që nga pushtimi i saj i plotë i fqinjit jugor në shkurt 2022. /Telegrafi/