Site icon Telegrafi

Ukraina thotë se po hasin vështirësi në eksportimin e drithërave përmes Polonisë dhe Rumanisë

Ukraina ka krijuar dy korridore përmes Polonisë dhe Rumanisë për të eksportuar drithëra e shmangur një krizë botërore ushqimore, por procesi po has në pengesa, të cilat kanë ngadalësuar zinxhirin e furnizimit,

Kështu është shprehur zëvendësministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Senik për të shtuar se siguria botërore ushqimore ndodhej në rrezik për shkak të sulmit rus që ka ndalur eksportin e drithërave nëpërmjet Detit të Zi, duke shkaktuar mungesa të mëdha dhe rritje të çmimeve.

Ukraina është eksportuesi i katërt më i madh në botë i drithërave. Kievi thotë se ka një sasi prej rreth 30 milionë tonësh të magazinuar në territorin e kontrolluar nga Ukraina, që po përpiqet ta eksportojë në rrugë tokësore e hekurudhore apo edhe nëpërmjet lumenjve.

“Vendi ishte në bisedime me shtetet baltike për të shtuar një korridor të tretë për eksportin e drithërave”, tha Senik, ndërsa merrte pjesë në takimin e nivelit të lartë mbi sigurinë që mbahet në Singapor.

Ai nuk dha detaje se sa është sasia e drithit që është eksportuar deri tani, apo që do të eksportohet nëpërmjet këtyre korridoreve.

Moska, e cila e quan luftën një operacion të posaçëm ushtarak dhe që mohon të ketë goditur objektiva civile apo automjete që eksportojnë drithëra, fajëson sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, si dhe minat detare të vendosura nga Ukraina, për rënien e eksportit të drithërave dhe rritjen e çmimeve botërore.

Lufta në Ukrainë dominoi punimet në takimin e Singaporit ose siç njihet Dialogu Shangri-La. Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve të këtij takimi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të shtunën se mbështetja e tyre, ishte thelbësore jo vetëm për të mposhtur Rusinë, por edhe për të ruajtur rendin botëror të bazuar në rregulla. /VoA/

Exit mobile version