Telegrafi

Ukraina thotë se eksportet e grurit mund të rifillojnë “brenda ditësh”

Ukraina ka thënë se anijet e para me drithëra mund të largohen nga portet e saj të Detit të Zi “brenda ditësh”, sipas marrëveshjes historike të ndërmjetësuar nga OKB-ja.

“Nëse palët garantojnë sigurinë, marrëveshja do të funksionojë. Nëse nuk e bëjnë këtë, nuk do të funksionojë”, tha ministri i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov.

Raketat e Rusisë të shkrepura të shtunën në portin kryesor të Ukrainës, Odesa, rritën frikën se marrëveshja mund të prishet, transmeton Telegrafi.

Ushtria ukrainase tha të shtunën se Moska kishte sulmuar portin detar të Odesës me katër raketa lundrimi, dy prej të cilave ishin rrëzuar nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Zëdhënësja e komandës Nataliya Humenyuk tha se nuk u godit asnjë objekt i magazinimit të drithërave.

Ministri i mbrojtjes i Turqisë megjithatë, tha se kishte pasur raporte nga autoritetet ukrainase se një raketë goditi një kullë silosi të drithërave, derisa një tjetër zbarkoi aty pranë, megjithëse asnjëra nuk ndikoi në ngarkimin në portet e Odesës.

Zyrtarët e ministrisë ruse të mbrojtjes këmbëngulën të dielën se një sulm ajror në portin e Odesës – më pak se një ditë pasi Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për rifillimin e dërgesave të drithërave nga atje – kishte goditur vetëm objektive ushtarake.

Ndryshe, nisja e pushtimit të Ukrainës në shkurt i dha fund eksporteve të drithërave ukrainase.

Rreth 20 milionë ton të drithërave janë bllokuar në portet ukrainase.

Luftimet e ashpra kanë dëmtuar gjithashtu të korrat dhe kanë lënë portet të bllokuara dhe të minuara.

Kjo ka çuar në mungesa ushqimore dhe rritje të çmimeve në të gjithë Afrikën, e cila zakonisht varet nga Ukraina – si dhe Rusia – për grurin. /Telegrafi/