Telegrafi

Ukraina pret që Rusia të qëndrojë në rrugën diplomatike për dy javët e ardhshme

Rusia ka gjasa të mbetet në rrugën diplomatike me Ukrainën dhe Perëndimin për të paktën dy javë – pas bisedimeve në Paris për de-përshkallëzimin e situatës, tha të enjten ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

“Asgjë nuk ka ndryshuar, ky është lajmi i keq”, tha Kuleba për bisedimet në Paris, ku Moska zhvilloi bisedime sigurie me diplomatë nga Ukraina, France dhe Gjermania të mërkurën.

“Lajmi i mirë është se këshilltarët ranë dakord të takohen në Berlin pas dy javësh, që do të thotë se Rusia për dy javët e ardhshme ka gjasa të mbetet në rrugën diplomatike”, tha ai në një konferencë shtypi në Kopenhagë, pas një takimi me homologun e tij danez, Jeppe Kofod.

Bisedimet e ashtuquajtura “Normandi” në Paris u panë si një hap drejt zbutjes së tensioneve më të gjera në një konflikt separatist në Ukrainën lindore që rrezikon të shndërrohet në një luftë në shkallë të gjerë.

“Fatkeqësisht, kërkesa më e madhe që ka Rusia është që Ukraina të angazhohet drejtpërdrejt në bisedime me përfaqësuesit rusë në Donetsk dhe Luhansk në vend që të negociojë me Rusinë. Kjo nuk do të ndodhë, kjo është një çështje parimore”, tha Kuleba. /Telegrafi/