Site icon Telegrafi

Ukraina po përdor dhjetëra sisteme me AI për të ndihmuar dronët e saj të godasin objektivat

Ukraina po përdor dhjetëra sisteme me AI për të ndihmuar dronët të godasin objektivat në fushën e betejës pa u pilotuar, ka njoftuar një zyrtar i lartë.

Sistemet që përdorin Al lejojnë dronët që mbajnë eksplozivë të dallojnë ose fluturojnë drejt objektivave të tyre në zona të mbrojtura nga bllokimi i gjerë i sinjalit, gjë që ka reduktuar efektivitetin e dronëve të pilotuar manualisht.

Bëhet e ditur se zhvendosja drejt përdorimit të AI, veçanërisht në gjetjen e objektivave me dronë dhe kontrollin e fluturimit, është një front i rëndësishëm në zhvillim e teknologjisë që është shpalosur që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Aktualisht ka disa dhjetëra zgjidhje në treg nga prodhuesit ukrainas, ato po blihen dhe do të dorëzohen në forcat e armatosura dhe forcat e tjera të mbrojtjes”, tha Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Kateryna Chernohorenko.

Siç raportohet, sistemet e automatizuara të dronëve janë shumë të kërkuara në mesin e ushtarëve që kërkojnë mënyra për të mposhtur përdorimin në rritje të shpejtë të luftës elektronike në fushën e betejës.

Këto sisteme, që dikur përdoreshin vetëm për të mbrojtur pjesët e pajisjeve me vlerë më të lartë, janë bërë një tipar i zakonshëm në llogore dhe në automjetet e ushtarëve.

Zyrtari parashikoi që dronët e operuar nga AI mund të arrinin shkallë goditjeje prej rreth 80%.

Ndryshe, Ukraina po përdor gjithashtu dronë përgjues për të rrëzuar numrin e madh të dronëve rus me kamera që ndihmojnë në shënjestrimin e artilerisë dhe sulmeve me raketa. /Telegrafi/

Exit mobile version