Site icon Telegrafi

Këngëtarja ukrainase Alina Pash humb mundësinë që ta përfaqësojë Ukrainën në Eurovision, pasi vizitoi Krimenë

Alina Pash është këngëtarja e cila fitoi konkursin Vidbir në Ukrainë, që i jepte asaj të drejtën për të përfaqësuar shtetin ukrainas në garën e madhe muzikore evropiane, Eurovision 2022.

28-vjeçarja kishte dalë e para, por më vonë ajo ishte tërhequr nga ky konkurs, duke humbur shansin ta përfaqësojë Ukrainën sivjet në Eurovision, shkruan BBC.

Transmetuesi kombëtar i Ukrainës, UA:PBC, tha se kishte vendosur “të ndërpresë pjesëmarrjen e saj”.

Kjo pasi në vitin 2015 kishte bërë një udhëtim në Krime – një zonë që Rusia mori nën kontroll në vitin 2014.

Foto: Alina Pash/Instagram

Alina tha se disa njerëz e kishin sulmuar atë në internet dhe e quajtën atë jo-ukrainase për vizitën që bëri atje.

Në një postim në Instagram, ajo shkroi: “Unë jam një shtetase ukrainase. Unë ndjek ligjin ukrainas dhe përpiqem të sjell traditat dhe vlerat e Ukrainës në botë”.

Lexo po ashtu Eurovisioni nuk ia ndalon pjesëmarrjen Rusisë sivjet në garën muzikore: Jemi ngjarje kulturore, jo politike

“Ajo që ka ardhur përmes kësaj historie nuk është aspak ajo që u përpoqa të përcjell me këngën time”, shtoi ajo.

Mosmarrëveshja për vizitën e saj në Krime vjen ndërsa bota është gjithë sy e vesh te konflikti Rusi-Ukrainë.

Kush është Alina Pash?

E lindur në një fshat të vogël në malet Karpate në Ukrainën perëndimore, Alina u bë e famshme në konkursin “X Factor Ukraine”.

Ajo thotë se kishte pritur “tetë vjet” për mundësinë për të përfaqësuar vendin e saj në Eurovision – konkursi më i madh muzikor në Evropë – dhe fitoi Vidbir, shfaqjen kombëtare nga e cila zgjidhet përfaqësuesi i shtetit në garën evropiane të muzikës.

Lexo po ashtu Ukraina zgjedh përfaqësuesin për në Eurovision 2022

Kënga e saj me titull “Shadows of Forgotten Ancestors”, përzien zhanre me qëllimin e saj “t’i tregojë botës se kultura ukrainase është e bukur”.

Pavarësisht nga një pushtim i mundshëm nga Rusia, një pjesë e konsiderueshme e bisedave në rrjetet sociale në Ukrainë të shtunën mbrëma kishte të bënte me artisten Alina Pash, Eurovisionin dhe konkurrentët e saj.

Pse është i diskutueshëm udhëtimi i Alinës në vitin 2015 në Krime?

Foto: Alina Pash/Instagram

Vizita në Krime mund të jetë e neveritshme dhe ka rregulla strikte mbi mënyrën se si njerëzit udhëtojnë në rajon.

Ukrainasit dhe të huajt lejohen të udhëtojnë atje vetëm përmes postblloqeve zyrtare tokësore. Është e paligjshme sipas ligjit ukrainas të udhëtosh në Krime nëpërmjet Rusisë.

Alina u ka ofruar autoriteteve prova se si ajo hyri në rajon, por kjo ishte nën vëzhgim.

Në një deklaratë për Newsbeat, transmetuesi publik i Ukrainës tha se “përfaqësuesi i artistes falsifikoi një certifikatë të dhënë në UA:PBC. Artistja u pajtua me këtë vendim të komitetit organizativ”.

Alina nuk e ka adresuar vizitën në Krime në postimin e saj në Instagram, por thotë se disa njerëz kanë bërë “vërejtje absolutisht të papranueshme”.

“Nuk e dua këtë luftë dhe urrejtje virtuale”, ka shkruar ajo. “Lufta më e rëndësishme tani është ajo e jashtme, e cila erdhi në vendin tim në vitin 2014”.

Edhe pse ukrainasit mbeten të preokupuar me kërcënimin e një konflikti të rinovuar ushtarak me Rusinë, historia e Alina Pash ka qenë një histori e madhe në mediat ukrainase.

Që kur ajo fitoi konkursin Vidbir, kritikët në rrjetet sociale kanë thënë se ajo nuk duhet lejuar të përfaqësojë Ukrainën në Eurovision 2022, për shkak të udhëtimit të saj në Krime.

Megjithatë, këngëtarja ka ende shumë mbështetje nga fansat e saj, me shumë prej tyre që kanë shkruar komente në llogarinë e saj në Instagram për të thënë se kënga e saj meritonte të dëgjohej nga audienca e Eurovisionit.

Të tjerë kanë drejtuar kritika ndaj komitetit të përzgjedhjes ukrainase, duke pretenduar se duhet të ishte kontrolluar paraprakisht sfondi i pjesëmarrësve për të shmangur këtë që ndodhi.

Me tërheqjen e saj nga gara, përfaqësues të Ukrainës në Eurovision 2022 u zgjodh grupi Kalush Orchestra me këngën e tyre “Stefania”. /Telegrafi/

Exit mobile version