Telegrafi

Ukraina mund ta mbyllë termocentralin më të madh bërthamor në Evropë që gjendet në Zaporizhzhia

Ukraina do të konsideronte mbylljen e termocentralit të saj bërthamor në Zaporizhzhia që shtrihet në territorin e pushtuar nga Rusia nëse Kievi humb kontrollin e operacioneve në zonë, ka thënë një ndihmës i kryeministrit, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, impianti në juglindje të Ukrainës është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë. Termocentrali është ende duke u operuar nga stafi ukrainas, puna e të cilit monitorohet nga ekspertë bërthamorë rusë.

Në kohë paqeje, gjashtë reaktorët e saj prodhonin një të pestën e energjisë elektrike të Ukrainës dhe pothuajse gjysmën e prodhimit të termocentraleve bërthamore të vendit.

“Për sa kohë që komandat e kontrollit ekzekutohen dhe impianti e mban nën kontroll regjimin, ne nuk po ndalemi. Por po shikohet edhe skenari në të cilin stacioni mund të dalë plotësisht jashtë kontrollit dhe ne e ndalojmë atë”, citohet zyrtari duke thënë.

Në mars, presidenti Zelensky akuzoi Rusinë për “terrorizëm bërthamor” pasi forcat e Vladimir Putinit pushtuan objektin e energjisë bërthamore në Zaporzhizhia. /Telegrafi/