Telegrafi

Uka nga Mjekimi Intenziv: 23-vjeçarja që u lëndua nga rënia e kulmit është liruar nga aparatura e frymëmarrjes

23-vjeçarja e cila ishte lënduar më 18 janar nga rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Por, ajo tashmë është liruar nga aparatura e frymëmarrjes me të cilën ka qenë tash e dy javë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Shaqir Uka, shef i Mjekimit Intenziv në QKUK.

“Gjendja është stabile, por ka ende nevojë të marrë trajtimin mjekësor edhe më tutje në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare. Sa i përket parametrave vital prezantohet të jetë realisht stabile për momentin. Ne kemi arritur që ta lirojmë nga aparatura mjekësore e frymëmarrjes. Pacientja ka nevojë edhe më tutje të monitorohet dhe të marrë trajtimin në njësinë e Mjekimit Intensiv edhe në ditët e ardhshme”, tha Uka.

Lexo po ashtu Lëndime në regjionin e kokës, nga QKUK tregojnë për gjendjen shëndetësore të 23-vjeçares që u lëndua nga rënia e çatisë në Prishtinë

Pacientja ka pësuar lëndime serioze nga rënia e kulmit në Prishtinë, lëndimet ajo i kishte marrë kryesisht në regjionin e kokës.

Ndryshe, 23-vjeçarja raportohet se është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani.

Nga Policia e Kosovës kishin njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën ‘Nora e Hotit’ në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti”./Telegrafi/