Telegrafi

Uk Lushi: Zero gjasa që Serbia të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë

Aktivisti shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, ka reaguar për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, ish-pjesëtari i Bataljonit Atlantiku ka thënë se nuk ka gjasa që Serbia të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë, por që sipas tij mund të ketë mobilizim të serbëve lokal me ndihmën e rusëve të Wagner Group.

“Gjasat janë gati zero që Serbia ndërhyn në Kosovë me ushtarë të saj. Konflikti mund të ndodhë me mobilizimin e armatosur të serbëve të veriut, të cilët janë duke u organizuar nga Serbia dhe mercenarët rusë nga Wagner Group”.

Lushi ka thënë se klasa politike në Kosovë në raste të tilla duhet të ruaj unitetin, derisa sipas tij nuk është mirë të sulmohen politikisht asete me përvojë ushtarake si Ramush Haradinaj.

“Në kësi situate nuk është mirë të sulmohen ish-luftëtarët tanë si p.sh. Ramush Haradinaj sepse nëse vjen te luftime njerëzit që po shahen janë asete të pazëvendësueshme”.

“Liderët dhe bartësit e institucioneve të shtetit e kanë detyrë unitetin dhe duhet të jenë të kujdesshëm me sulme politike partiake dhe drejtimin e gishtit sepse në luftime më përpara do të shkohet me njerëz të dëshmuar që e dinë çka është lufta se sa me liderë zyresh. Lufta nuk është retorikë”, ka shkruar Lushi./Telegrafi/