Telegrafi

Ujkani: Do japim maksimumin ndaj Ishujve Faro, jemi krenarë që luajmë për Kosovën

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, ka premtuar se skuadra do të jep maksimumin ndaj Ishujve Faro në ndeshjen në kuadër të Ligës së Kombeve.

30-vjeçari tha se brenda grupit atmosfera është e mirë dhe se të gjithë janë krenarë që luajnë për Kosovën.

“Është hera e parë që po luajmë kualifikuese në vendin tonë, ne lojtarët e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo gjë. E kemi pritur tash e dy vite këtë moment dhe jemi përgatitur. Presioni në futboll është gjithmonë dhe besoj se është gjë normale. Duhet të japim maksimumin që të kënaqim gjithë Kosovën”.

“Atmosfera është e mirë brenda e grupit pasi ne e duam Kosovën dhe për këtë kemi ardhur këtu, jemi si vëllezër. Kemi luajtur para dy vitesh me Ishujt Faro, ishte loja e parë miqësore pas pranit. Ka qenë një lojë krejt ndryshe, ata janë të motivuar se kanë fituar ndeshjen e parë ndaj Maltës dhe tani duan një fitore tjetër. Ne do japim maksimumin dhe shpresoj të gëzojmë popullin tonë”.

Kapiteni u pyet se çfarë do të thotë për atë dhe skuadrën se gjithë biletat janë shitur brenda pak orëve:

“Edhe ne kemi pak probleme me bileta pasi gjithë familjarët kanë dëshirë të vijnë në stadium. Është kënaqësi e madhe pasi tregon se në vendin tonë interesimi për futboll është shumë i madh. Ndihem krenar që mund ta përfaqësoj vendin tonë dhe duam që ta dërgojmë Kosovën sa më lart”.

“Për ne ishte gjithmonë ëndërr të luajmë për Kosovën, kur isha i ri ëndërroja për këtë dhe tani është realitet. Jemi krenarë që luajmë për vendin tonë dhe do të japim më të mirë që të bëjmë sa më mirë që është e mundur. Kosova ka histori speciale, e dimë sa njerëz kanë luftuar për këtë ditë, që të mbajnë futbollin gjallë, sepse nuk ishte e lehtë. Për ne është shumë speciale dhe jemi krenarë”, ka thënë Ujkani në konferencën për media para ndeshjes ndaj Ishujve Faro të hënën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. /Telegrafi/