Telegrafi

Pas reshjeve të shiut, ujërat e zeza vërshojnë rrugën në Bresje të Fushë Kosovës

Ka kohë që banorët në Bresje të Fushë Kosovës po përballen me problem të vazhdueshëm, pasi pas reshjeve të shiut ujërat e zeza po dalin mbi sipërfaqe.

Kështu kanë thënë përmes një njoftimi për media nga zyra e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Fushë Kosovë.

Sipas tyre, uji i kanalizimit dhe shiut ka vërshuar tërë rrugën.

“Ndërtesa ku ka shpërthim të kanalizimit dhe grumbullim të ujit nga shiu, e ndanë vetëm rruga nga objekti i komunës, por zyrtarëve të korruptuar, nuk iu pengon kjo gjë. Kjo situatë po u shkakton telashe edhe bizneve në atë pjesë. Gjatë verës era bëhet e padurueshme, kurse gjatë kohës me shi dhe borë uji e merr krejt sipërfaqen e rrugës.  Ankesat e banorëve në drejtim të komunës së Fushë Kosovës, nuk janë marrë parasysh asnjëherë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, PDK kërkon nga komuna e Fushë Kosovës që të veprojë urgjentisht për të sanuar situatën. /Telegrafi/