Telegrafi

Ujërat e zeza rrjedhin në hyrje të Tregut të Gjelbër në Prishtinë (Video)

Në hyrje të Tregut të Gjelbër në Prishtinë, janë duke rrjedhur ujërat e zeza. Në ketë pjesë ku rrjedhin ujërat e zeza shiten qumësht dhe produkte të tjera të bulmetit.

Një lexues i Telegrafit e ka dërguar një video në të cilën shihet vendi ku rrjedhin fekalet e afër aty tregtohen qumësht, produkte të bulmetit dhe pemë e perime.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka thënë për Telegrafin se mirëmbajtja e kanalizimit është kompania e ujësjellësit dhe kanalizimeve.

“Përgjegjësi e sajimit dhe mirëmbajtjes së kanalizimeve është kompetencë e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ‘Prishtina’, me qenë se ata gjenerojnë fatura të ujit, gjenerojnë të hyra edhe me mirëmbajtjen e kanalizimit”, tha Mullafazliu.

Ndërsa, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë për Telegrafin, se ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes për të intervenuar.

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujërave fekale/kanalizimit, mbrëmë në orët e vona kanë intervenuar në afërsi në debllokim të kanalizimit dhe e kanë përfunduar me sukses, në rastin në fjalë nuk ka qenë i njoftuar ujësjellësi dhe para pak çastesh dolën për të arritur në vendin në fjalë dhe do të intervenohet si në të gjitha rastet e tjera. Inkurajojmë konsumatoret tanë të lajmërojnë raste të tilla dhe ne patjetër që do jemi aty, gjithnjë pranë konsumatorit”, tha Mjeku. /Telegrafi/