Ky është momenti tragjik kur çifti bashkëshortor humb jetën brenda veturës së tyre, e cila ishte mbuluar nga uji pas shirave të rrëmbyeshëm në Brazil.
Joao Calos Haskel, 59-vjeç, dhe gruaja e tij Isabel Cruz, 52, humbën jetën në pjesën jugore të qytetit Blumenau, pasi ujërat e rrëmbyeshëm që kishin përmbysur zonën, “mori me vete” veturën brenda të cilës kishin mbetur të ngujuar, transmeton Telegrafi.
Dëshmitarët okularë kanë njoftuar se Haskel dhe gruaja e tij ishin brenda veturës Dacia Sandero duke lëvizur në rrugën kryesore, kur befasisht u goditën nga ujërat e rrëmbyeshëm.
Joao Alves Rodrigues, 30-vjeç, që kishte filmuar tragjedinë ka deklaruar se ishte duke shkuar në shtëpi, kur vërejti se ujërat e rrëmbyeshëm e kishin marrë me vete një veturë brenda të cilës kishte njerëz.
“Sapo fillova të filmojë, dëgjova dikë duke bërtitur se brenda veturës kishte njerëz. Befasisht ujërat e rrëmbyeshëm e morën me vete veturën dhe ne ishim të pafuqishëm në atë aspekt. E gjitha çfarë mund të bënim ishte të luteshim që të shpëtojnë”, ka shtuar Rodrigues.
Dhjetë orë pas tragjedisë, ekipet emergjente kanë arritur t’i nxjerrin trupat e pajetë të çiftit bashkëshortor që ishin “dërguar” nga ujërat, 11 kilometra larg vendit nga ku u “rrëmbyen”. /Telegrafi/