Gjilani ka nisur punime në njërin nga dy lumenjtë që kalojnë përmes qytetit, por zgjidhje për kundërmimin dhe mbeturinat përreth tyre nuk ka bërë ende.
Banorët që jetojnë përreth lumit Stanishor, që gjendet në anën lindore të Gjilanit e që dikur përcaktonte edhe kufirin e qytetit, po vuajnë nga kundërmimi që ka kapluar zonën përreth lumit.
Ky lum përveç që është pikë që bashkon lumenjtë Mirusha dhe Banjën, po bashkon tash e sa vite edhe ujëra të zeza e mbeturina të qytetit përreth tij.
Buzë tij, në vend të gjelbërimit kanë zënë vend mbeturinat që për banorët, sidomos në temperatura të larta, e bëjnë të padurueshëm qëndrimin e në atë zonë.
Pengesë shumë e madhe gjendja e lumit dhe bregut përreth tij është sidomos për taksistët që qëndrojnë buzë tij.
Njëri nga ta, Enver Berisha shprehet i shqetësuar për shëndetin e tij dhe të kolegëve për shkak të ujit të ndotur në atë zonë, ku ata qëndrojnë pothuajse gjatë tërë ditës për të pritur udhëtarë.
“Lumi në Gjilan është pa koment, po kallëzohet edhe vet. Çfarë gjendje është. Askujt nuk i bie ndërmend. Komuna na ka qit këtu na ka lënë, nuk vjen me këqyr hiç. 2-3 taksistë janë të infektuar prej lumit. Nuk po dimë edhe ne vet ku me u drejtu pikë së pari… Nuk di se çka do të bëhet, por ne një sëmundje tepër të madhe kemi me e marrë këtu”, tha ai.
Kolegu i tij, Hajrush Limani, i cili tash e 20 vite punon si taksist, thotë se premtime ka pasur çdo vit porse nuk është bërë asgjë për rregullimin e lumit.
“Tmerr, tmerr, tmerr! S’ka koment! Na helmojë. Këtu jemi tërë ditën na, vendin të punës e kemi, qe për sa vend të punës nuk kanë gjetur kohë me e mbulu me një urë këtë problem. Hidhen mbeturina, kundërmojnë ujërat e zeza, tmerr”, u shpreh ai.
Drejtori për Shërbime Publike në komunën e Gjilanit, Naser Korça, ka thënë përmes telefonit për KosovaPress se zgjidhja e problemit të lumit Stanishor ka mbetur duke u zvarritur tash e dy vite, ku për këtë thotë se një pjesë të fajit e ka rënia e Qeverisë.
Kjo pasi siç thotë ai, ka mbetur pa u implementuar një marrëveshje për kredi të butë me Austrinë.
“Ne kemi pasur një marrëveshje me Austrinë për një kredi të butë, përmes së cilës synojmë të rehabilitojmë lumin Stranishorka. Mirëpo me rënien e Qeverisë kjo çështje është zvarritur. Po presim nga momenti në moment që të pranojmë kredinë dhe të fillojmë punimet”, ishte përgjigja e tij për KosovaPress.
Edhe pse ky lum u përfol dhe u shfrytëzua shumë herë si premtim fushate, banorët gjilanas po jetojnë tash e sa vite në mes të premtimeve për rregullimin e shtratit të lumit dhe kundërmimit të përhershëm të erës së tij nga ujërat e zeza dhe mbeturinat.
Në gjendje jo të mirë në Gjilan, ka qenë edhe lumi Mirusha. Megjithëse për këtë lum kanë nisur punimet për pastrimin dhe rregullimin e tij.
Por punimet për ta rehabilituar shtratin e tij, banorët e Gjilanit i quajnë të vonuara, ani pse të nevojshme.
Refik Zeqiri nga Baleci i Gjilanit, u shpreh i brengosur se mbulimi i lumit nuk do të përfshijë edhe lagjen Dardania.
Ai ka thënë se janë organet komunale ato që kanë zvarritur këtë punë.
“Është mbuluar, është bërë shumë mirë. Një punë e mirë, një punë e mbarë. Veç e zvarritur për së tepërmi. Edhe krejt kjo nga udhëheqësia e komunës përpara dhe tash. Zvarritjen po e bëjnë dhe po dihet kompetent kush është. Edhe po e bëjnë një zgjidhje, por jo sa duhet se po shkohet deri në fillim të lagjes ‘Dardania’, pjesa tjetër mbetet prapë kështu”, tha ai.
Dyshimet për këtë i ka hequr kryetari i komunës, Lutfi Haziri.
Ky në një prononcim për KosovaPress ka thënë se punimet nuk do të ndalen deri sa të mbulojnë pjesën e mbetur të lumit.
“Ne jemi duke punuar. Jemi duke e ndërtuar dhe duke vendosur gypa në një pjesë më të madhe. Plani dinamik po shkon sipas detyrës që e kemi dhënë. Do të fillojmë tash me mbuluar pjesën lindore, apo prej hotelit në drejtim të livadheve të qytetit, apo parkut të ri të qytetit, me e mbulu dhe rindërtu pjesën e mbetur të lumit. Ky shtrat i lumit deri në fund të vitit përfundimisht pjesën më të madhe të saj do të jetë i përfunduar”, tha ai.
I kënaqur me punimet e lumit Mirusha është shprehur banori Begzad Ramadani.
“E kanë bërë shumë mirë, të parës klasë. Ka pas shumë erë këtu. E Kanë bë shumë mirë… Njëherë deri këtu e tani nuk e di. Vjet ka filluar e deri këtu tash”, u shpreh ai për KosovaPress.
Gjendja e lumenjve dhe shtretërve të tyre , në Kosovë, në përgjithësi nuk konsiderohet e mirë. Problem mbetet mos mirëmbajtja e tyre dhe papastërtitë përreth. Gjilani megjithëse ka nisur rregullimin e njërit nga të dy lumenjtë që kalojnë nëpër qytetin, siç shihet nga pamjet e KosovaPress, ka ende punë për të bërë në drejtim të pastrimit dhe rregullimit të tyre. /Telegrafi/