UEFA po mendon të bëjë disa ndryshime sa i përket organizimit të Kampionatit Evropian Euro 2021, por që do të mbahet këtë vit.
Qytetet si Dublin (Irlandë), Glasgow (Skoci) dhe Bilbao (Spanjë) mund të humbasin të drejtën për të organizuar ndeshjet e Kampionatit Europian, që do të zhvillohet këtë verë.
Turneu, i cili është shtyrë një vit për shkak të pandemisë së coronavirusit, ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej në 12 qytete, në 12 vende europiane, por UEFA po merr në konsideratë mundësinë për ta ndryshuar planin fillestar për shkak të pamundësisë për të lejuar praninë e tifozëve në disa stadiume.
Bisedimet për ndryshimin e formatit po vijojnë, pasi institucioni më i rëndësishëm evropian i futbollit kërkon me çdo kusht që në stadiume të ketë një numër të caktuar tifozësh, ose më saktë të paktën 25% të kapacitetit tyre.
Për momentin ndeshjet e kampionateve kombëtare në Evropë po luhen me dyer të mbyllura shkaku i rrezikut të madh nga COVID-19.
Stadiumi ‘Aviva’ në Dublin, ‘Hampden Park’ në Glasgow dhe ‘Estadio San Mames’ i Bilbaos janë në rrezik për shkak të mungesës së garancive për numrin e tifozëve që mund të akomodojnë deri në qershor.
UEFA është e gatshme të heqë nga lista disa stadiume, që nuk mund të garantojnë një numër të caktuar spektatorësh gjatë zhvillimit të Europianit.
Megjithëse Britania ka pasur shpërthimin më vdekjeprurës të conovirusit në Evropë, programi i saj i vaksinimit është më efikasi dhe ka rritur besimin e UEFA-s për t’i dhënë Londrës të drejtën e organizimit të shtatë ndeshjeve në stadiumin Wembley, përfshirë gjysmëfinalet dhe finalen në korrik. /Telegrafi/