Shqipëria dhe Rumania janë ndaluar të stërviten në stadiumin e Lyonit pas shiut dhe breshrit nga ditët e shkuara.
Shiu dhe breshëri i rrëmbyeshëm në Lyon gjatë kësaj jave ka detyruar UEFA-n që të marrë masa drastike për të ruajtur gjendjen e terrenit të stadiumit në të cilin nesër në darkë do të luhet takimi vendimtar mes Shqipërisë dhe Rumanisë për të caktuar skuadrën që renditet e treta në Grupin A.
Organizatorët e aktivitetit kanë vendosur që të mos lejojnë asnjërën prej dy skuadrave që të zhvillojnë stërvitjen e zakonshme në impiant një ditë para ndeshjes, përcjell “Panorama Sport”.
Për të dy ekipet është planifikuar që të zhvillojnë stërvitjet e tyre në një tjetër fushë stërvitore në qytetin e Lionit.
Tapeti i gjelbër i stadiumit u dëmtua shumë gjatë ndeshjes mes Irlandës së Veriut dhe Ukrainës që u luajt dy ditë më parë.