Site icon Telegrafi

UEFA: Kjo është pika më e fortë e Shqipërisë

Mbrojtje solide, mesfushë e ngjeshur për të lënë sa më pak hapësira dhe një sulmues i deklaruar, për të tentuar që ti kapë rivalët në befasi. Kjo është mënyra e lojës me të cilën sipas UEFA-s, Shqipëria pritet të paraqitet në finalet e Euro 2016.

Në ditët e fundit të përgatitjeve drejt Euro 2016, faqja zyrtare e Konfederatës Europiane të Futbollit parashikoi formacionet e mundshme të skuadrave pjesëmarrëse. Gjithçka duke u bazuar në skemat e përdorura më së shumti gjatë kualifikueset dhe miqësoreve të 24 përfaqësueseve finaliste.

Për Shqipërinë e Gianni De Biasit skema më e përdorur mbetet 4-5-1, ku edhe variacioni taktik i trajnerit me rreshtimin 4-2-3-1 e mban praktikisht mesfushën të ngjeshur dhe me 5 lojtarë. Berisha në portë ka mbështetjen e Hysajt, Canës, Mavrajt e Agollit në mbrojtje. Në mesfushë Kukeli është gjithmonë përpara mbrojtjes për të thyer aksionet e kundërshtarëve. Taulant Xhaka përdoret si “xhol”, herë përkrah Kukelit dhe në disa raste në pozicion më të avancuar, ashtu si Abrashi. Nga krahët e mesfushës, Lenjani duket i paprekshëm në të majtën, ndërsa Roshi në avantazh për krahun e djathtë, ndërsa Cikalleshi jepet favorit për një fanellë titullari, edhe pse së fundmi Armando Sadiku ka forcuar pozitat në ekip, transmeton supersport.al.

Përsa i takon ekipeve të tjera të Grupit A, Zvicra, kundërshtari i parë i kuqezinjve më 11 Qershor në Lens, pritet të luajë me rreshtimin agresiv drejt sulmit, 4-3-3. Në formacionin e helvetëve pritet të jenë 4 nga 6 shqiptarët e skuadrës, Granit Xhaka, Behrami e Shaqiri në mesfushë dhe Admir Mehmedi në sulm. Skuadër sulmuese e rreshtim 4-3-3 edhe për Francën, me yllin e skuadrës Pogba të spostuar nga e djathta në mesfushë, ndërsa Griezmann, Payet e Oliver Giroud pritet të përbëjnë treshen sulmuese. Rreshtim deri diku të ngjashëm me Shqipërinë mendohet se do të përdorë edhe Rumania, me skemën 4-2-3-1, ku Torje e Popa janë në balotazh në mesfushë, ashtu si Andone dhe Keșerü për vendin e sulmuesit të vetëm.

Këto janë formacionet e Shqipërisë dhe kundërshtarëve në evenimentin në Francë. Taktika do të ketë një rol të rëndësishëm në ecurinë e skuadrave. Por, më tepër se kjo do të vlejnë dëshira për të mos zhgënjyer, puna në grup dhe lufta sportive. Të gjitha cilësi për të cilat Kombëtarja kuqezi spikat dhe që i siguruan pjesëmarrjen historike në Kampionatin Europian.

Exit mobile version