Site icon Telegrafi

UEFA fillon hetim të pavarur për finalen e Ligës së Kampionëve

UEFA ka konfirmuar se do të bëhet një rishikim i pavarur dhe gjithëpërfshirës për atë që ndodhi përpara finales së Ligës së Kampionëve të shtunën në Paris.

Në një deklaratë nga organi qeverisës evropian thuhej: “UEFA ka njoftuar sot se ka porositur një raport të pavarur për ngjarjet që lidhen me finalen e UEFA Champions League në Paris të shtunën, më 28 maj”.

“Rishikimi gjithëpërfshirës do të shqyrtojë vendimmarrjen, përgjegjësinë dhe sjelljet e të gjitha subjekteve të përfshira në finale”.

Lexo po ashtu Ministri francez akuzon Kloppin për rrëmujën e shkaktuar në finalen e Ligës së Kampionëve

Fillimi në “Stade de France” u vonua me 36 minuta pasi kaosi mbretëroi jashtë fushës, me mijëra tifozë të Liverpoolit që u penguan të hynin.

UEFA dhe autoritetet franceze fajësuan vonesën tek ardhjet e vonuara dhe mbështetësit që kishin ‘bileta false’.

Megjithatë, ata që kishin udhëtuar për të parë Reds treguan për një histori shumë të ndryshme – radhë të gjata që u formuan rreth tre orë para fillimit dhe një përgjigje të ashpër të policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version