Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur me 5 mijë euro nga Komisioni i Disiplinës të UEFA-s, për shkak të vërshëllimave të tifozëve kuqezinj, gjatë ekzekutimit të himnit të Francës, në ndeshjen Shqipëri-Francë të zhvilluar në “Air Albania”.
Por, Disiplina nuk është mjaftuar me kaq, teksa ka vendosur të gjobisë Shqipërinë me 18 mijë e 250 euro gjobë, për shkak të sendeve të hedhura në fushën e lojës si dhe mbylljen e dyerve dhe daljeve në fushë të tifozëve gjatë sfidës, gjë kjo që vë në rrezik sigurinë e tyre në rast të një incidenti.
Pra në total FSHF është gjobitur me 23 mijë e 250 euro dhe duhet të paguhen 90 ditë pas publikimit të vendimit.
Një shumë kjo e konsiderueshme, duke ditur buxhetin e vogël që institucioni i futbollit shqiptar ka.
Ndërkohë, në Komisionin e Disiplinës të UEFA-s ka përfunduar edhe trajneri i Shpresave, Alban Bushi.
Ky i fundit ka vonuar fillimin e ndeshjes përballë Anglisë U-21 dhe për këtë arsye është paralajmëruar si ai, ashtu edhe FSHF, që në rast përsëritje të kësaj situate, do të përballet me sanksione disiplinore.