Site icon Telegrafi

Udhëtimi pa viza – edhe Ambasada e Italisë ua kujton qytetarëve se cilat dokumente kërkohen

Pak ditë para liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës janë duke u informuar në vazhdimësi për dokumentet e nevojshme që duhet pasur para udhëtimit për në zonën Shengen.

Ambasada e Italisë në Kosovës përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga qytetarët që të informohen me kujdes mbi kriteret, transmeton Telegrafi.

Qytetarë të nderuar, 1 janari 2024, dita e liberalizimit të vizave për Kosovën në zonën Schengen, po afrohet prandaj ju ftojmë edhe një herë të informoheni me kujdes mbi kriteret dhe dokumentet e nevojshme. Informohuni para nisjes që udhëtimi juaj të jetë i suksesshëm”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Liberalizimi i vizave mundëson udhëtim pa vizë për qëndrime afatshkurtër si ato turistike apo vizita familjare disa herë brenda vitit, përderisa nuk tejkalohet numri i ditëve 90 brenda periudhës prej 180 ditësh.

Për të udhëtuar pa viza duhet:

Pasaportë biometrike;

Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit;

Dëshmi mbi qëndrimin si rezervim i hoteli apo vendit ku do të qëndroni;

Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;

Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;

Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare;

Liberalizimi i vizave nuk ju mundëson punësimin, shkollimin apo studimet.

Po ashtu, në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa viza, pasojat personale përfshijnë; shqiptimin e gjobës financiare, shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version