Me një karrierë të suksesshme në fushën e mjekësisë, Taulant Muka është një shembull frymëzues i një gjenerate të re studiuesish shqiptarë.
Ky epidemiolog me famë ndërkombëtare rrëfen për Telegrafin udhëtimin e tij nga rrugët e Tiranës te institucionet prestigjioze të shkencës në botë, tregon vështrimet dhe aspiratat e tij për të ardhmen e shkencës dhe arsimit shqiptar.
Në këtë intervistë ekskluzive, ai po ashtu rrëfen se si përvojat në Zvicër dhe përkushtimi i tij ndaj shkencës kanë formuar qëllimet e tij dhe si shikon ai sfidat dhe mundësitë që paraqiten për rininë shqiptare sot.
Ai po ashtu potencon rëndësinë e qëndrueshmërisë, besimit në vete dhe zhvillimin e një etike pune të fortë në përballjen e sfidave dhe barrierave në rrugën drejt suksesit.
Telegrafi: Taulant, për ata që nuk të njohin, a mund të na tregoni pak për veten?
Muka: Unë jam 35 vjeç, studiues në fushën e epidemiologjisë, dhe aktualisht duke u marrë me shkencë dhe sipërmarrje në fushën e epidemiologjisë. Përtej karrierës akademike, jam angazhuar dhe në problematikat arsimore në Shqipëri ku ndër të tjerash, së bashku me kolegë të tjerë shqiptarë, kemi ekspozuar fenomenin e plagjiaturës dhe diplomave falco, një fenomen shumë i përhapur edhe ndër politikanët shqiptarë.
Telegrafi: Jetoni në Zvicër… a mund të na tregoni pak për jetën jashtë Shqipërisë, çfarë të shtyu të shkosh?
Muka: Qëndrimi në Zvicër për më shumë se pesë vjet, ose më saktë, duke e ndarë kohën time mes Zvicrës dhe Shqipërisë për shkak të lidhjes sime të fortë me këtë të fundit, veçanërisht me Tiranën. Katalizatori për lëvizjen time në Zvicër ishte një ofertë pune nga profesori im i doktoraturës.
Oferta përfshinte krijimin dhe drejtimin e një grupi kërkimor në Bernë të fokusuar në sëmundjet e zemrës dhe diabetit. Kjo mundësi nxiti vendimin tim për t’u zhvendosur në Zvicër. Në kohën e lëvizjes, nuk kisha shumë informacion për Zvicrën. Isha i vetëdijshëm për reputacionin e Zvicrës si një vend i pasur dhe piktoresk me një demokraci të konsoliduar.
Telegrafi: Sa e keni pasur të vështirë adaptimin si një i ri nga Shqipëria në Zvicër?
Muka: Nuk ka qenë një udhëtim i lehtë. Para se të transferohesha në Zvicër, banoja në Roterdam dhe Kopenhagën. Kalimi në Bernë ishte një ndryshim i rëndësishëm, duke shënuar herën e parë që kur u largova nga vendi im që përjetova jetën në një qytet më të vogël. Ndryshe nga shumë vende të tjera ku kam jetuar, Zvicrës i mungojnë qytetet e mëdha metropolitane. Një sfidë tjetër ishte pengesa gjuhësore. Duke qenë se kam jetuar më parë në vende si Holanda dhe Danimarka, ku anglishtja përdoret gjerësisht dhe ku gjen shumë aktivitete sociale dhe kulturore në gjuhën angleze, në Zvicër gjendesha i izoluar nga ana sociale dhe kulturore pasi të ofron më pak mundësi në këtë drejtim.
Për më tepër, njohuritë e mia të kufizuara të gjuhës gjermane më kufizuan mundësitë e mësimdhënies në universitet, një pengesë që nuk e kisha hasur në vende të tjera. Zvicra është me të vërtetë e këndshme, të ofron një ndjenjë sigurie dhe mundësi të shumta për rritje profesionale. Megjithatë, është një vend ku njeriu ndeshet me izolim social, që në besimin tim është një ndër sfidat më të mëdha të jetesës në Zvicër.
Telegrafi: Si e ri keni jetuar në Shqipëri, si e shihni rininë shqiptare aktualisht në raport me të huajt, a janë të gatshëm për zhvillimet e reja?
Muka: Të rinjtë në Shqipëri sot janë rritur me akses në internet, dhe kanë të gjithë potencialin për të rezonuar me homologët e tyre evropianë apo edhe më gjerë. Sfida nuk qëndron te të rinjtë, por në strukturën shoqërore dhe shtetërore të krijuar për të mbështetur dhe rritur potencialin e tyre.
Dy shtetet tona dhe shoqëria kanë dështuar të mbrojnë formimin arsimor dhe zhvillimin e një të ardhme prosperiteti për të rinjtë Shqiptarë.
Fatkeqësisht, Kosova dhe Shqipëria aktualisht renditen ndër vendet e fundit në testin PISA, të dhëna që na vënë përpara sfidave të mëdha në vitet e ardhshme. Për të adresuar këtë, një ndryshim në politikë është e nevojshme për të nxitur një transformim pozitiv në rezultatet arsimore.
Telegrafi: Na tregoni pak për shkollimin tuaj jashtë vendit, aq më tepër që ka të bëjë me mjekësinë?
Muka: Pasi mbarova studimet në fushën e mjekësisë në Tiranë, vazhdova studimet e mia doktorale dhe postdoktorale në Holandë në fushën e epidemiologjisë dhe sëmundjeve kardiometabolike, dhe më pas punova si drejtues grupi dhe profesor i asociuar në Bern të Zvicrës. Gjatë këtyre periudhave kam pasur eksperienca kërkimore dhe në Universitetin e Harvardit, Cambridge dhe Stanford.
Kam pasur mundësinë të studioj dhe punoj në institucionet më të mira në botë në fushën time, dhe kjo eksperiencë më ka ndihmuar të krijoj një vizion të ri të konceptueshëm në momentin që lashë Tiranën në vitin 2012. Këtë eksperiencë e kam mundur ta ndaj dhe me Shqipërinë, duke qenë shumë aktiv në jetën publike me trajtimin e problematikave arsimore e kryesisht të lidhura me fallcitetin akademik që ka zaptuar universitetet shqiptare.
Telegrafi: Si mendoni, çka e dallon sistemin e shkollimit e të punës në Zvicër me atë në Shqipëri e Kosovë?
Muka: Kërkesa! Për shembull, në akademi puna e pedagogut dhe profesorit vlerësohet në fund të çdo viti akademik, dhe njësoj si studenti, merr “notën” përkatëse. Në Shqipëri kjo ende nuk ndodhë, çka ndikon negativisht në zhvillimin akademik.
Gjithashtu, ka një kulturë pune të konsoliduar, ku të gjithë punojnë për të mirën e përbashkët (zhvillimin e shoqërisë), dhe jo vetëm atë individuale. Fatkeqësisht vendet tona vuajnë nga nepotizmi dhe korrupsionin, dy fenomene që po ndikojnë negativisht në largimin e trurit dhe potencialit shoqëror drejt vendeve të tjera. Sot më shumë se kurrë është e nevojshme që si Shqipëria dhe Kosova të investojnë në thithjen e trurit.
Telegrafi: Mund të na tregoni për fokusin e hulumtimeve tuaja aktuale?
Muka: Aktualisht jam duke punuar në hipotezën e hekurit në fushën e sëmundjeve kardiometabolike. Krahasuar me djemtë, vajzat kanë një rrezik të ulët për zhvillimin e sëmundjeve te zemrës dhe diabetit para moshës së menopauzës, por pas menopauzës kjo situatë paraqitet krejt ndryshe: gratë kanë një rrezik më të shtuar për këto sëmundje.
Ndërkohë që fokusi në dekadat e fundit ka qenë hormoni femëror estrogjeni, pak përkushtim i është dhënë hekurit, nivelit e të cilit rriten shumë pas menopauzës. Pikërisht, këtë fenomen jam duke studiuar, sesi nivelet e hekurit në gjak ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe diferencave midis meshkujve dhe femrave.
Telegrafi: A ka ndonjë projekt të caktuar ku jeni veçanërisht krenar që keni marrë pjesë?
Muka: Ka shumë, e vështirë t’i ndajë. Por një që mund të veçoj është një studim që kemi ndërmarrë në 4 shtete dhe kemi treguar një mekanizëm të mundshëm epigjenetikë përmes së cilit statinat mund të shkaktojnë diabet.
Statina janë medikamente që ulin yndyrat në gjak, por ka pas të dhëna shkencore që e lidhin përdorimin e tyre me zhvillimin e diabetit. Gjithsesi, mekanizmi sesi statinat shkaktojnë diabet nuk është i qartë. Mekanizmi epigjenetikë ka qenë një hipotezë që e kisha shumë përzemërt, dhe u lumturova kur rezultatet e studimit vërtetuan hipotezën tonë, dhe studime të mëpasshme konfirmuan rezultatet tona.
Telegrafi: Po ashtu, nga rezymeja që pamë kishit një përvojë të bujshme? A e ndani me ne përvojën tuaj të punës dhe na tregoni pak për Epistudia, çfarë është?
Muka: Epistudia është një platformë digjitale inovative që synon të nxisë rritjen e udhëheqësve të ardhshëm në fushën e epidemiologjisë dhe shkencave bio-mjekësore, duke krijuar talente të reja në këto fusha. Platforma jonë, e cila përfshin një aplikacion webi dhe celulari, punon ngushtë me shkencëtarë nga universitetet më të mira. Ne po krijojmë një komunitet profesional që është i rrënjosur fort në prova dhe përdor vendimmarrjen e drejtuar nga të dhënat në fushat e kujdesit shëndetësor, shëndetit publik dhe politikave.
Telegrafi: A mund të na tregoni planet tuaja për të ardhmen, si e sheh Taulanti veten pas 10 vjetësh në aspektin profesional?
Muka: Kam shumë ëndrra, por ëndrrën më të madhe kam të shoh vendet tona të investojnë në arsim cilësor dhe zhvillimin e shkencës dhe universiteteve konkurruese. Sot, si Kosova dhe Shqipëria kanë produktin më të ulët shkencor në rajon dhe Evropë, kanë universitete që nuk gjenden në renditjet botërore, dhe një ‘profesoriat’ që i mungon formimi akademik.
Kjo ka bërë që shoqëritë tona, për shkak të mungesës së elitave te formuara akademike, të krijojnë kompleksin e inferioritetit në trevat shqipfolëse. Në sot vlerësojmë çdo produkt të huaj, qoftë edhe atë akademik, ndërkohë që zhvlerësojmë produktet shqiptare. Besoj se investimi im në 10 vitet e ardhshme do jetë pikërisht ky mision, dhe në 10 vite e shoh veten të kem krijuar një qendër lider në shkencë na rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Telegrafi: Dhe në fund mesazhi juaj për rininë shqiptare?
Këmbëngulni, edhe kur gjendeni përballë barrierave. Mos u dorëzoni, edhe kur ju thonë nuk mundeni ose kur ju ndërtojnë pengesa për zhvillimin tuaj. Pas largimit nga Shqipëria në vitin 2012, disa profesorë të fakultetit të mjekësisë më etiketuan si student nën nivel për shkak të kritikave të mia për punën e tyre akademike. Tani, pas 11 vitesh, rikthehem në Shqipëri si ndër shkencëtarët më me impakt në vend në bazë të parametrave shkencor.
Ndërsa është një triumf personal për të cilin krenohem, ai gjithashtu hedh dritë mbi gjendjen fatkeqe të studiuesve dhe elitave tona akademike; një gjendje që e vuaj dhe që do dëshiroja shumë të ishte ndryshe. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë një emergjencë kombëtare sot: kthimin e trurit dhe talenteve intelektuale, si dhe mbrojtjen dhe investimin në talentet që ndodhen në vendet tona. I lus të gjithë të rinjtë që studiojnë jashtë vendit të mos harrojnë rrënjët e tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk ka tokë më të shenjtë se atdheu. /Telegrafi/