Telegrafi

Udhëkryqi i rrezikshëm në hyrje të Podujevës, pothuajse çdo ditë ndodhin aksidente

Njëra ndër dy hyrjet kryesore të qytetit të Podujevës po del të jetë shumë problematike për shoferët që kalojnë andej.

Aksidentet janë bërë të zakonshme në këtë vend, derisa një qytetar thotë se është dëshmitarë i tyre.

“Është shumë udhëkryq i rrezikshëm. Çdo ditë ndodhin nga dy-tri aksidente. Është shpejtësi shumë e madhe na nevojitet një rreth apo diçka tjetër”.

Për Nadir Zejnullahun që kalon shpesh në këtë rrugë, thotë se rreth-rrotullimi do të ishte një zgjidhje e mirë.

“Çfarë arkitektë ka ky vend që bëjnë plane të tilla për komunikacionin. Nuk ka kurrfarë logjike që kjo rrugë të mos ketë kurrfarë rreth rrotullim”.

Ndërkohë sipas policisë aksidentet në këtë vend vijnë si pasojë e shpejtësisë së lartë.

Për këto probleme janë të vetëdijshëm në Komunën e Podujevës.

Nënkryetarja Marigona Lahu thotë se në atë vend është paraparë një rreth rrotullim.

“Është një pikëtakim ky po ndodhin aksidente të shumta. Me planin e vjetër aty është paraparë të ndërtohet mbikalimi, mirëpo për shkak të pamundësive për të ndërtuar mbikalim ne kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës që projekti të ndryshohet dhe në vend të mbikalimit të bëhet një rreth që do të ndihmonte qarkullimin dhe shmangien e aksidenteve”, deklaroi Lahu.

Qeveria është zotuar se brenda vitit 2022 do të përfundojë nderimi i magjistrales Prishtinë-Podujevë, rrugë kjo që përfshinë edhe aksin problematik ku po ndodhin aksidentet./Telegrafi/