Mark Zuckerberg ka kërkuar falje për atë që e quan ‘shkelje besimi’ në lidhje me shfrytëzimin e të dhënave të 87 milionë përdoruesve nga kompania Cambridge Analytica. Në Washington po qarkullojnë pyetje të shumta, ndërsa shefi ekzekutiv i Facebook-ut përgatitet të dëshmojë përpara Kongresit më 11 prill. Por, nëse dëshmia do të sjellë ndryshime reale për mbrojtjen e të drejtës së privatësisë mbetet për t’u parë. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh.
Mark Zuckerberg e pranon përgjegjësinë kur zihet në gabim.
“Ne nuk e analizuam si duhet përgjegjësinë që kishim. Dhe ky ishte një gabim i madh. Dhe ishte gabimi im”, tha ai.
Po ashtu edhe e dyta në detyrë në Facebook, Sheryl Sandberg.
“Kemi bërë gabime të mëdha dhe këtë e dimë”, tha ajo.
Por drejtuesit e Facebook-ut nuk po pranojnë tërë fajin.
“Shumica dërrmuese e të dhënave që Facebook-u di rreth jush, e di sepse keni vendosur t’i ndani me të tjerë këto të dhëna. Ishte informacion që njerëzit e kishin vënë në Facebook publikisht”, thonë ata.
Dhe këto justifikime mund të sinjalizojnë se si do të shkojë dëshmia që do të japë më 11 prill në Kongres Mark Zuckerberg, mbi keqpërdorimin e të dhënave të potencialisht 87 milionë përdoruesve nga kompania Cambridge Analytica.
“Në Shtetet e Bashkuara, një pjesë e madhe e aktivitetit në platformat dixhitale, përfshirë Facebook-un, por edhe ku blihen aplikacionet, çdo gjë funksionon në bazë të rregullave që kanë krijuar vetë këto kompani. Nuk është e qartë se çfarë masash kontrolli ekzistojnë për këtë aktivitet”, thotë Joseph Jerome, i Qendrës për Demokraci dhe Teknologji.
Dhe kjo do të thotë se kompanitë e teknologjisë paguajnë një çmim relativisht të vogël për sjelljen e tyre të keqe.
“Komisioni Federal i Tregtisë ishte në gjendje t’i vinte një gjobë Google-it, por gjoba ishte vetëm 20 milionë dollarë, një shumë që më duket se është rreth gjysma e të ardhurave të një dite të kompanisë. Pra, gjobat janë një humbje normale që ndodh kur bën biznes”, shton ai.
Ai biznes ende përfshin transferimin e të dhënave të përdoruesve tek kompanitë që krijojnë aplikacione. Pavarësisht nga mungesa e transparencës, Sandberg i prezanton qëllimet e gjigandit të mediave sociale si fisnike.
“Ne besuam në një botë ku njerëzit mund të ndajnë dhe të përjetojnë gjërat së bashku, por nuk i menduam thellë rastet e keqpërdorimit”, tha ajo.
Por kur të vijë e mërkura, atyre u duhet të mendojnë më shumë. /Telegrafi/