Telegrafi

Udhëheqësi i Hezbollahut kërcënon Qipron

Udhëheqësi i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, paralajmëroi për një luftë “pa kufij” në rast të një ofensive të plotë izraelite kundër milicisë libaneze, pasi ai kërcënoi se Qipro mund të bëhej një objektiv nëse lejonte që Izraeli të përdorte territorin e saj në çdo konflikt.

Qiproja dhe Izraeli kanë një marrëveshje dypalëshe të bashkëpunimit të mbrojtjes, e cila ka parë që vendet të kryejnë stërvitje të përbashkëta.

“Hapja e aeroporteve dhe bazave qipriote ndaj armikut izraelit për të shënjestruar Libanin do të thotë se qeveria qipriote është pjesë e luftës dhe rezistenca do ta trajtojë atë si pjesë e luftës”, ka thënë shefi i Hezbollahut.

Ndërsa siç raporton The Guardian, përcjell Telegrafi, Nikos Christodoulides, presidenti i ishullit, u përgjigj të mërkurën në mbrëmje: “Qiproja mbetet e pa përfshirë në asnjë konflikt ushtarak dhe pozicionohet si pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit”.

Ai u përpoq të theksonte rolin humanitar që shteti më lindor i BE-së kishte luajtur në Lindjen e Mesme, duke lehtësuar hapjen e një korridori detar për të transportuar ndihmat e nevojshme në Gaza.

“Korridori ynë humanitar është një dëshmi e përkushtimit tonë për paqen dhe stabilitetin”, u tha ai gazetarëve në një ceremoni diplomimi në Universitetin e Qipros.

Ai shtoi: “Deklarata të tilla nuk janë të këndshme, por nuk pasqyrojnë realitetin. Qiproja nuk po merr pjesë në asnjë angazhim ushtarak”.

Vërejtjet e Nasrallah erdhën një ditë pasi gjeneralët izraelitë thanë se kishin nënshkruar planifikimin për një ofensivë më të gjerë kundër Hezbollahut dhe ministri i jashtëm i Izraelit, Israel Katz, theksoi se vendi ishte në prag të vendosjes nëse do të zgjeronte luftën. /Telegrafi/