Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve A. R., M. D. dhe Z. H., për kryerjen e veprave penale dhënia e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës apo autorizimit.
“I pandehur A. R., (nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut) gjatë mesit të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar në Gjilan, në mënyrë të tërthortë ka dhënë ryshfet në shumë prej 10.000 (dhjetëmijë) Euro, personit zyrtar M. D., që të regjistroj në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Vitisë si shtetas të Republikës së Kosovës, ashtu që pas dhënies së ryshfetit i pandehuri A. R. ka pranuar ekstraktin nga regjistri qendror i gjendjes civile nga zyrtari M. D., e më pas ka aplikuar dhe është pajisur në mënyrë të kundërligjshme me letërnjoftim të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata më tej shton se i pandehuri M. D., me datë 22.12.2021, në kohë të pavërtetuar në Viti, me qëllim që të përfitoi dobi për vete apo personin tjetër, dobi e cila nuk i takon, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, përkatësisht ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, në atë mënyrë që duke qenë në pozitën e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Vitisë, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 04/L-003 për Gjendjen Civile dhe aktet tjera ligjore, i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme regjistron të pandehurin A. R. nga Kumanova si shtetas të Republikës së Kosovës.
“I pandehuri Z. H., në kohë të pavërtetuar në Gjilan, me qëllim të rregullimit të nënshtetësisë së Republikës së Kosovës, nga i pandehuri A. R. merr shumën prej 10.000 (dhjetëmijë) Euro, me qëllim që të njëjtat t’ia dorëzon të akuzuarit M. D. – zyrtar në gjendjen civile në Komunën e Vitisë, me ç’rast pas dhënies së tërthortë të ryshfetit i pandehurit A. R., nga zyrtari M. D., ka pranuar ekstraktin e lindjes dhe certifikatën me shënimet personale të tij.
Me këto veprime, i akuzuari A. R. ka kryer veprën penale “dhënie e ryshfetit” dhe trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti dhe gjobë në shumën prej 500 (pesëqind) Euro”, thuhet në njoftim.
Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
I akuzuari M. D. ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autorizimit” dhe trupi gjykues i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 (tetëmbëdhjetë) muaj dhe dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike ose në shërbim publik për 2 (dy) vite, pasi që i njëjti të mbaj dënimin e shqiptuar me burgim.
I akuzuari Z. H. ka kryer veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale dhënia e ryshfetit” dhe trupi gjykues i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite dhe dënim me gjobë në shumën prej 1000 (njëmijë) Euro.
Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/