Emil Roback ka reaguar për herë të parë publikisht, ndërsa ka sqaruar edhe faktin që për 14 ditë kishte shkëputur çdo komunikim me këdo nga klubi i Norrkoping, ku ndodhet në formë huazimi nga Milani, gjë që i alarmoi të gjithë në klubin suedez, ku ishin të trembur për jetën e sulmuesit.
Në një intervistë për mediat suedeze, sulmuesi 20-vjeçar që është në pronësi të Milanit, zbuloi se vuan nga depresioni, ndërsa shtoi se është shumë i sëmurë.
“Nuk doja të shihja askënd përveç familjes. Vuaj nga depresioni. Nuk jam ndier mirë kohët e fundit, në fakt ndihem shumë keq. Ndjeva se gjërat nuk ishin në vendin e duhur dhe u mbylla në vetvete. Ndoshta nuk ishte gjëja e duhur për të bërë, por kështu ka ndodhur. Mendoj se është depresion, por është diçka që nuk e kam përjetuar kurrë më parë”, ka thënë Roback.
20-vjeçari ishte duke luajtur për grupmoshat U21 të ekipit suedez Hammarby kur tërhoqi interesimin e Milanit.
Pasi u transferua në Itali, Roback fillimisht u aktivizua për të rinjtë e Milanit para se të ftohej në disa ndeshje për ekipin e parë.
Në janar të vitit 2022, ai bëri debutimin me fanellën e Milanit, teksa hyrë në fushë nga banka rezervë në minutat e fundit të fitores së Milanit me rezultat 3-1 ndaj Genoas në Kupën e Italisë.
Suedezi me prejardhje nga Gambia, nuk la përshtypje të mëdha për Rossonerët dhe u huazua menjëherë, fillimisht në Danimarkë tek ekipi i Nordsjaelland dhe më pas në Suedi tek Norrkoping, aty ku edhe luan aktualisht./Telegrafi/