Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra në krye të detyrës 11 vjet më parë në veri të Mitrovicës.
Kurti në një postim në ‘X’ ka shkruar se sakrifica e Šenavičius pasqyron guximin e heronjve kombëtar si Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku.
“Sot shënojmë njëmbëdhjetë vjet nga humbja tragjike e Audrius Šenavičius, një doganier nga Lituania, i cili u vra me gjakftohtësi nga autorë të panjohur në veri të Kosovës. Sakrifica e tij pasqyron guximin e heronjve tanë kombëtarë si Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, duke na kujtuar angazhimin për sigurinë dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës. Ndërsa e kujtojmë Šenavičius në këtë përvjetor solemn, nderojmë kujtimin e tij dhe festojmë shërbimin e tij të palodhur për vendin tonë dhe popullin e tij. Trashëgimia e tij vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, shkroi Kurti.
Edhe ministri Xhelal Sveçla kujton zyrtarin e EULEX-it në 11-vjetorin e vrasjes së tij
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar doganierin e misionit të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra 11 vjet më parë në afërsi të Zveçanit.
Sveçla tha se në këtë përvjetor qëndrojnë pranë familjes Audrus dhe kolegëve të tij.
Ai tha se drejtësia për vrasjen e tij është domosdoshmëri dhe duhet të ndodhë pa vonesë.
“11 vite më parë, në një pritë në afërsi të Zveçanit, u vra sa ishte në detyrë doganieri i misionit të EULEX-it në Kosovë, Audrius Šenavičius. Në këtë përvjetor që mbanë dhimbje, qëndrojmë pranë familjes së Audrius dhe kolegëve të tij që ndodhen në shërbim. Drejtësia për vrasjen e tij është domosdoshmëri dhe duhet të ndodhë pa vonesë. U jam mirënjohës të gjithë pjesëtarëve të EULEX që çdo ditë mbështesin Policinë e Kosovës për sundim të rendit e ligjit në Republikën tonë”, ka shkruar ministri Sveçla.