Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami ka takuar sot ambasadoren e Libisë në këtë shtet, Amel Jerary, me të cilën ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.
Ambasada e Kosovës në Belgjikë në një postim në Facebook thekson se në një bisedë miqësore, të zhvilluar në ambasadën e Libisë në Bruksel, dy ambasadorët diskutuan zhvillimet aktuale dhe sfidat e veçanta me të cilat përballen Kosova dhe Libia, përpjekjet e dy vendeve për forcimin e demokracisë dhe shtetësisë, si dhe situatat e përgjithshme gjeopolitike edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimorë edhe në atë të Magrebit.
“Posaçërisht u fol për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.
Ambasadori Bajrami u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Libisë, e cila në vitin 2013 e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe prej vitit 2015 kemi marrëdhënie diplomatike. Ai shtoi se tani është koha që këto marrëdhënie të funksionalizohen e thellohen më shumë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Në anën tjetër, ambasadorja Jerary citohet të ketë thënë se Libia e mirëpret vullnetin e Kosovës për bashkëpunim më të madh, sidomos në fushën e diplomacisë.
Ndërkaq, për takimin me ambasadoren e Libisë në Bruksel, Amel Jerary ka shkruar edhe vet ambasadori Bajrami.
“Thellimi i bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Libisë ishte në qendër të bisedës shumë miqësore”, shkruan Bajrami.
Edhe ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi një ditë më parë ka bërë të ditur se ka takuar ambasadorin e Somalisë, Jama Abdullahi Mohamed me të cilin diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve, si dhe shkëmbyen pikëpamjet mbi zhvillimet rajonale e ndërkombëtare.
Ambasadori Vrenezi realizoi takim me Ambasadorin e Somalisë Jama Abdullahi Mohamed me të cilin diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve, si dhe shkëmbyen pikëpamjet mbi zhvillimet rajonale e ndërkombëtare.
— Kosovo Embassy Ankara (@KosovoInAnkara) January 10, 2023
Ndryshe, ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, këto shtete janë Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet. /Telegrafi/