Telegrafi

A ishin kundër koalicionit me LVV-në, Osmani e Abrashi sqarojnë se çfarë u tha në mbledhjen e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur sot mbledhjen me Kryesinë e kësaj partie, ku është diskutuar për situatën politike si dhe bisedimet me LVV-në për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Pas përfundimit të kësaj mbledhje, LDK përmes një komunikate për media theksoi se është e gatshme të vazhdojë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për të arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë.

Mirëpo, në media u tha se gjatë kësaj mbledhje disa nga anëtarët e kryesisë, u shprehën kundër koalicionit me LVV-në. Në mesin e emrave që u përmenden se ishin kundër koalicionit me LVV-në, ishte Naser Osmani dhe Arban Abrashi.

Osmani në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se këto janë spekulime.

“Nuk ka pasur biseda e as prononcime se kush është për e kush kundër, janë spekulime”, ka thënë Osmani.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe anëtari tjetër i kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi.

Abrashi përmes një reagimi në Facebook ka thënë se ai ishte pro koalicionit me LVV-në.

Ai ka shtuar se LDK-së i takojnë presidenti, kryeparlamentari dhe pesë ministri dhe se është koha për ndërtimin e Qeverisë.

“Edhe sot isha pro koalicionit me partinë me 29 deputetë. Kërkova të afatizohet dhe të mos shtyhet më shumë arritja e marrëveshjes. LDK-së sikur në fillim edhe tash duhet t’i takojnë Presidenti, Kryeparlamentari dhe pesë ministri. Është koha për ndërtimin e Qeverisë. Partneriteti ndërtohet me mirëbesim e mirëkuptim, e jo përmes video prezentimeve, e nënçmimit të partnerit të vetëm serioz. Mos ia humbni shpresën vendit! P.S. kërkoj falje për lexuesit, dhe dezinformatat e plasuara nga fansat e partisë me 29 deputet, por herëve tjera flas me emra. Shëndet”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Përveç Osmanit e Abrashit, në media u tha se kundër koalicionit me LVV-në kanë dalë edhe Avdullah Hoti, Agim Veliu, Skender Hyseni, Florian Dushi dhe Lirije Kajtazi.

LDK pas përfundimit të mbledhjes së sotme i ka bërë thirrje LVV-së që të bëhet një ndarje e barabartë e pushteteve, ashtu që të mund të bëhet e të funksionojë një koalicion mes tyre. /Telegrafi/